Paralajmërimi i Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në lidhje me kufizimin e ezanit në Izrael, është marrë në konsideratë nga posti më i lartë shtetëror i këtij shteti.
Kreu i shtetit të Izraelit, Reuven Rivlin, ka deklaruar se është kundër projektligjit, i cili parashikon disa kufizime për thirrjen e ezanit në vend.
Sipas një lajmi të radios shtetërore izraelite, Reuven Rivlin është takuar në zyrën e tij në Jerusalemin Perëndimor me autoritetet fetare myslimane, të cilëve u ka thënë se kundërshton p/ligjin që ndalon thirrjen e ezanit me altoparlantë dhe se një ligj i tillë nuk është i nevojshëm.
Mësohet se Rivlin ka premtuar që të bisedojë me autoritetet përkatëse në mënyrë që ky p/ligj të mos paraqitet për votim. Në detaje të lajmit, Presidenti Rivlin citohet të ketë thënë gjithashtu se “Izraeli është një shtet, që respekton lirinë e adhurimit dhe parimin e lirisë së besimit për të gjitha pakicat në vend.”
P/ligji për ndalimin e thirrjes së ezanit me altoparlantë, i përfshirë në agjendën e punimeve të Parlamentit izraelit (Knesset) me pretendimin se “shkakton ndotje akustike””, duhet të diskutohet dhe të miratohet në 3 seanca të ndryshme përpara se të marrë fuqi ligjore.
Nga ana e tij, Kryeministri Benjamin Netanyahu ka shprehur haptazi mbështetjen e tij për p/ligjin në fjalë.
Votimi ishte shtyrë më herët si rezultat i kundërshtimit të Partisë së Judaizmit të Unifikuar të Teuratit (UTJ), një nga forcat politike fetare në Knesset.
Ministri i Shëndetësisë dhe njëkohësisht lideri i kësaj partie, Yaakov Litzman, kishte deklaruar se ishte kundër p/ligjit të diskutueshëm, pasi beson se ai mund të prekë edhe ritualet hebraike në vend.
Ky p/ligj, i cili ka ngjallur reagim të ashpër tek myslimanët në Izrael, në Palestinë dhe anembanë botës, është dërguar disa herë për miratim në Parlament, por asnjëherë s’është arritur të aprovohet. Aktualisht ai është miratuar nga Komisioni i Ligjeve dhe është dërguar për diskutim në Knesset.