Nga: Alpin Ollogu
Zvarritja e propaganduar e ndryshimeve ligjore për Ligjin e lojërave të fatit si premtim i partive politike në fushata zgjedhore, sikur dëshiron të përsërisë veten në fushatën e afërt të zgjedhjeve lokale.
Qeveria aktron sikur do ta zgjidhë këtë çështje në dobi të qytetarëve, ndërsa Asociacioni i Bastoreve Sportive, aktron sikur pikat kryesore të draft-ligjit të ri, përgatitur nga Ministrisa e Financave, prekin interesin e tyre deri në shuarjen e aktivitetit të bixhozit në vendin tonë. Aktrim i një regjie të interesave të përbashkëta klanore në biznesin e bixhozit.
Asociacioni i Bastoreve Sportive, dukshëm i kordinuar me struktura qeverisëse, ka arritur suksesin e kurthit të parë, kur viktimizoheshin dhe kundërshtonin me vajtim propozimet e para disa viteve për ndryshimet ligjore të këtij ligji.
Atë që kam alarmuar në një prej shkrimeve të mëparshme për këtë temë, se Asociacioni i Bastoreve në fakt nuk e ka pasur problemin e distancës së objekteve të lojërave të fatit me 1, 2 apo 3 km larg nga institucionet arsimore siç propozohej asokohe, por asocacioni problemin dhe frikën e kishte që të arrijë të shmangë mbylljen apo kufizimin e lojërave të fatit si në shembullin e shteveve fqinje. E tani përsëri, Asocioacioni vazhdon kurthin e ri, sigurisht me një orkestrim nga struktura qeverisëse maqedonase. Kundërshtojnë dhe vajtojnë fiktivisht edhe distancën prej 500 metra largësi nga objektet arsimore, që sipas tyre do shuajnë veprimtarinë e lojërave të fatit.
Sipas informacionit që del nga draft-ligji i tanishëm, përgatitur nga Ministria e Financave, distanca e lojërave të fatit diskutohet të jetë 500 metra, në largësi nga shkollat fillore, të mesme dhe universitetet.
Pra çështja ka arritur deri në pikën e 500 metrave distancë, duke anashkaluar 3 km nga projekt-ligji i përgatitu nga deputetët e Bashkimit Demokratik për Intregrim në prag fushatën e kaluar, por edhe me pak sesa premtimi që kandidati për kryeministër shqiptar Naser Ziberi, premtoi në fushatën e tij zgjedhore se distanca nga objektet arsimore dhe fetare me objektet e lojërave të fatit, do të jetë 1 km. Kjo distancë e tanishme e dalë nga Ministria e Financave, është distancë shumë më e vogël nga ajo që kërkojnë shumica e qytetarëve të këtij vendi, Lëvizja Anti Bixhoz, partitë politike shqiptare, dhe jo vetëm.
Asociacioni i Lojërave të Fatit, që asocon logjikshëm me asociacinin e “lojërave të djallit”, vazhdon aktrimin e kundërshtimit edhe të 500 metrave distancë, dhe atë vetëm nga objektet arsimore, domethënë, jo nga pragu i dyerve të institucioneve religjioze, kishave dhe xhamive.
Vasko Ilievski nga Asociacioni i Bastoreve Sportive vazhdon të thotë se propozimi që lojërat e fatit të jenë 500 metra larg shkollave fillore, të mesme dhe fakulteteve, nënkupton mbylljen e aktivitetit te tyre. “Dendësia e popullatës në qytetet tona është e tillë që largësia mes shkollave nuk lë hapësirë që të ketë ndonjë objekt të lojërave të fatit. Situatë më e rëndë është në qytetet më të vogla, ku mund të kenë një rrugë kryesore me disa anësore dhe në këtë rast, ai qytet nuk do të kishte qoftë edhe një objekt të lojërave të fatit. Diçka të tillë nuk ka në asnjë vend të Evropës. Pra, askund. Atje (në Evropë) hapja e kazinove nuk kushtëzohet me largësinë e tyre nga objektet shkollore”, – thotë Ilevski.
Vaskoja, përfaqësuesi i “djajve të fatit” në Maqedoninë e Veriut, gënjen paturpësisht. Në Evropë jo vetëm që ka distanca të tilla por edhe nuk mund të hapësh baste sportive vend e pa vend, në Evropën ku nuk ka një disproporcion të madh mes varfërisë dhe atyre që luajnë më këto lojëra, në Evropën ku funskionon shteti ligjor dhe ku nuk mbushen bastoret e kazinotë me nxënës të fillores dhe shkollës së mesme, apo të sëmurë -varur nga bixhozi, si dhe varfanjakë ekstremë, por në Evropë ka vende ku nuk lejohen aspak lojërat e fatit. Norvegjia i ndalon lojërat e fatit në gjithë territorin e saj, përfshirë edhe bastet sportive, ndërkohë që i lejon vetëm ato online.
Të njejtin model ka Qiproja, Polonia, Rusia, Turqia. Islanda, ndalojnë çdo lloj të lojërave të fatit. Edhe Japonia, një ndër vendet më të zhvilluara në botë, e ndalon bixhozin në tërë territorin e vet, me përjashtim të atij online. Italia ndalon disa llojë të lojërave të fatit.
Madje në disa shtete të Evropës ka ligje të posaçme që detyrojnë bankat që ti ndalojnë klientët e tyre përdorimin e kartave bankare për lojëra fati, brenda dhe jashtë vendit. Ndalime të pjeshme të lojërave të fatit ka edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Franca e ka bërë në mënyrë drastike ndalimin me ligj të çdo lloj aktiviteti bastesh e lojërash fati, jashtë përgjegjësisë së shtetit. Në Francë, në Gjermani apo në Itali, bastet janë monopol shtetëror.
Nuk ka kompani lart e poshtë që hapin dyqane dhe thërrasin njerëzit që të luajnë bixhoz. Dhe këto janë vendet më të forta e më të zhvilluara të Europës, ku shkon në burg për hapjen e një salloni bastesh. Për shembull, në Gjermani ka një Traktat Shtetëror të Lojërave të Fatit, ku është e ndaluar të organizoni dhe vendosni bixhozin në internet. Pra edhe shtetet më të zhvilluara rregullojnë, kufizojnë dhe ndalojnë lojërat e fatit sipas strukturës dhe problematikës që ata kanë në shoqëritë e tyre.
Në Maqedoninë e Veriut, në një prej shteteve me të korruptuara dhe të varfra të Evropës, aty ku sundimi i ligjit është thuajse vetëm në letër, struktura të caktuara qeverisëse kinse ju “qajnë hallin” atyre tetë mijë të punësuarve në lojërat e fatit, të cilëve në fakt duhet t’ju gjejnë punë të dinjitetshme dhe të sigurtë, duke zhvilluar qeveri pa korrupsion dhe duke ngritur shtetin e së drejtës e mirëqenies sociale. Madje disa prej qeveritarëve i ngazëllen dhe e kanë si arsyetim shumën prej 250 milion eurosh të ardhura në buxhetin e shtetit nga bixhozi, por duke mos parë dëmin e tyre kolosal, sepse interesi klanor me këto biznese, ju errëson arsyen.
Nëse sipas tyre lojërat e fatit mbyllen apo nuk mund të mbijetojnë me miratimin ligjor të distancës prej 500 metrash, sikur pohojnë nga Asociacioni i Bastoreve, atëherë logjikisht shumica dërrmuese e popullatës që kërkon mbylljen apo kufizimin drastik të këtyre lojërave, nuk duhet të shqetësohet, për arsye se me kalimin e disa muajve apo maksimalisht një viti, lojërat e fatit do të zhduken. Por, jo të gjithë e kuptojmë se kjo smund të ndodhë, është kurth psikik i kordinuar që luhet me ndjenjat e qytetarëve nga Asociacioni dhe pjesë e qeverisjes maqedonase. Aktivitetet e bixhozit edhe kur ndalohen me ligj si në shtetet fqinje, ato përsëri mundohen të bëjnë aktivitet në forma ilegale, dhe jo me t`ju mundësosh të zbaviten me miratime distancash qesharake ligjore, dhe në anën tjetër të shpresosh shuarjen e tyre.
Kujtojmë: Në Maqedoninë e Veriut, ushtrojnë aktivitet të lojërave të fatit mbi 500 bastore dhe më shumë se 200 kazino, dhe sipas përllogaritjeve të bëra, mbi 500.000 njerëz luajnë çdo ditë apo në mënyrë periodike lloje të ndyshme të lojërave të fatit. me një mesatare vjetore prej 200 deri ne 250 eurosh për pagesë të skedinave. Për këta 500 mijë përsona që luajnë çdo ditë bixhoz, sa humb shteti në një orë të humbur për lojërat e fatit?!
E nëse ato do të ishin orë pune dhe tatim përsonal për shtetin, sa para shpenzohen nga buxheti i shtetit për trajtimin dhe shërimin e atyre që janë në varësi të bixhozit, bashkë me kujdesin ekonomik për familjet e viktimave të bixhozit, në një kohë kur psikologët deklarojnë se, të varurit pas bixhozit, koston e shërimit e kanë më të lartë se ata të lëndëve narkotike. Sa humb shteti nga evazioni fiskal i informalitetit dhe larja e parave që bëhet në aktivitetin e këtyre lojërave të fatit?!
Secili njeri me dy pare mend, nëse bën një krahasim mes dobisë dhe dëmit të tyre, sidomos në rrethanat e shtetit tonë, padyshim që me gjithë qenien e tij do të mundohej në ndalimin e tërësishëm të këtij aktiviteti famëkeq. Sigurisht këtu flasim për dobinë e përgjithshme, sepse kur janë në pyetje interesat individiale dhe klanore, llogarinë e dëmit dhe dobisë mund ta bëjnë së prapthi.
Ёshtë përgjegjësia kryesore e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Lëvizjes Besa, si pjesë e qeverisë, të ndalojnë kurthin e ri për Ligjin e Lojërave të Fatit. Në mos më shumë, minimalisht ti largojnë objektet e veprimtarisë ku organizohen lojërat e fatit, në periferi të vendbanimeve. Ne realisht nuk kemi interesat klanore shqiptare, qeverisëse apo jo, të lidhur me përfitimin e veprimtarisë së këtyre lojërave.
Prandaj, partitë shqiptare, sidomos në qeveri, kanë obligim ta ndalojnë maskaradën e rradhës me Lojërat e fatit. Opozita shqiptare gjithashtu të kërkojë dhe jetësojë të gjithë mekanizmat e saj demokratikë, qoftë me projekligje, bojkotime parlamentare, protesta të ndryshme jashtë dhe brenda legjislativit. Në të mirën publike, partitë shqiptare duhet ti tejkalojnë politikat ditore dhe të bashkëveprojnë të koordinuar në këtë çështje, dhe jo vetëm. Të tjerët kordinohen për të keqen, ndërsa ne mund ta bëjmë për të mirën.
“Askush nuk e zgjedh keqen ngaqë është e keqe, por ngaqe bie në kurthin e saj, kur gabimisht e gjykon si një të mirë, krahasuar me një të keqe më të madhe” – thoshte Epikuri, mendimtari i lumturisë.