Ish dekani i mjekësisë Haxhirexha shkarkohet pse kërkoi të dënohen plagjiaturat: “Kërkova të mbrohet dinjiteti i universitetit, plagjiaturat janë të vërteta”

Ish dekani i fakultetit të mjekësisë në UT Kastriot Haxhirexha tha se të gjitha shkrimet e publikuara në revistën Veritas për plagjiaturë janë të vërteta. Ai thotë se për plagjiaturën, që para një viti kanë qenë të informuar edhe rektori, dekanët, doktorantët dhe disa profesorë. Haxhirexha tha se reagimi i tij ndaj këtij fenomeni i ka kushtuar me largimin nga posti i dekanit të fakultetit.

Ka një vit, që nga marsi i vitit të kaluar që unë personalisht si dekan i fakultetit të shkencave të mjekësisë, rektori i UT, zyra për shkencë e UT, dhe disa pedagog eminent, janë bombarduar me emaile të këtilla bombarduese……. Në mbledhjen e parë që kemi pasur për avancimin në gradë akademike të njërit prej profesorëve që u apostrofua në revistën Veritas gjitha të vërtetat u zbuluan dhe kemi debatuar ashpër në këshillin mësimor, sepse unë kam mbrojt dinjitetin e fakultetit të mjekësisë dhe UT se nuk mund të mbyllim sytë dhe të tejkalojmë këta probleme sepse problemi nuk mbyllet me mbulim”, tha Kastriot Haxhirexha, Ish dekan i Fakultetit të Mjekësisë.

Haxhirexha hodhi poshtë qëndrimet e një dite më parë të dekanit të fakultetit të mjekësisë Nevzat Elezi se punimet e profesorëve të apostrofuar nuk janë të përfunduar. Ai tha se këto punime veç më janë botuar nëpër revista shkencore.

Unë dëgjova dje prononcimin edhe të dekanit që më zëvendëson mua, dhe vërtetë më vjen keq që arsyetohet me atë se punimet janë në proces e sipër, sepse këto janë punime të botuara. Këto janë punime të botuara në revistë dhe këtu nuk ke më çka të korrigjosh. Gjithsecili qytetar nuk ka nevojë të më pyes mua apo dikë tjetër se a janë të vërteta këto pretendime të Veritas? Merre punimin fute në sistemin anti plagjiaturë dhe del çdo gjë. Unë personalisht si dekan disa prej këtyre punimeve normal që i kam futur në sistemin anti plagjiaturë dhe më kanë rezultuar njëqind për qind të sakta pretendimet që bën pala që denoncon”, pohoi Kastriot Haxhirexha, Ish dekan i Fakultetit të mjekësisë.

Sipas revistës “Veritas”, shtatë profesorë që aktualisht ligjërojnë disa nga lëndët bartëse në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, e që po ashtu janë në lidhje farefisnore mes tyre, kanë kryer plagjiaturë të punimeve të tyre shkencore. Sipas kësaj reviste, punimet e tyre i kanë kopjuar nga disa revista shkencore të mjekësisë në shtete të ndryshme të Botës. Sipas të njëjtës revistë bëhet fjalë për ish rektorin e UT-së Nexhbedin Beadinin, bashkëshorten e tij Sheqibe Beadinin, Albulena Beadinin, Emira Bexhetin, Mirlind Bexhetin, Destan Halidin dhe Ekrem Ismanin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu