Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi për të cilët tani e një kohë të gjatë flitet se janë në marrëveshje të fshehtë dhe koordinim kundër partive të reja opozitare, bashkë janë duke gatuar një teatër të ri. Që nga fillimi i fushatës ata ikin me çdo kusht nga përballja me liderët e tjerë opozitarë dhe për të mbuluar këtë, siç mësohet nga burime të sigurta brenda dy partive, Ahmeti dhe Thaçi janë duke inskenuar një debat televiziv mes tyre. Marrëveshja siç mësohet shkon deri aty sa dy liderët thuhet se kanë caktuar edhe temat për të cilat do të debatojnë, me qëllim që të tërheqin vëmendjen e opinionit vetëm tek dy partitë e tyre. Edhe më herët, Thaçi dhe Ahmeti, kanë përdorur strategji të ngjashme duke u deklaruar madje edhe publikisht se vetëm dy partitë e tyre ju nevojiten shqiptarëve në Maqedoni dhe duke i vlerësuar si të rrezikshme partitë e reja opozitare.