Kanë kaluar dy vite që kur vetë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti personalisht kishte pranuar se brenda BDI-së ka funksionarë që e keqpërdorin pushtetin dhe postet zyrtare. Më 16 tetor të 2014-tës, Ahmeti me gojën e vetë deklaronte se BDI-ja është e mbushur me kriminelë që keqpërdorin votën e qytetarëve për interesa personale.
“Pse a mendoni se e gjithë BDI-ja janë engjëj? A mendoni se nuk e keqpërdorin pushtetin?”, deklaronte Ahmeti.
Megjithatë, vetë Ali Ahmeti vazhdon të mbrojë keqpërdoruesit e pushtetit dhe “djajtë” në radhët e tij. Deri tani ai nuk i ka treguar emrat e tyre e as ka bërë ndonjë prononcim në organet e rendit për keqpërdorimet e partisë së tij.
Kujtojmë se edhe vetë Ali Ahmeti dyshohet për korrupsion të rëndë plot 5 milion euro në rastin “Maxhar Telekom”, të cilin po e heton Prokuroria Speciale. Kjo mund të jetë edhe arsyeja që kryetari i BDI-së mbron bashkëveprimtarët e tij me vepra të ngjashme korruptive.