Antari i kryesisë qëndrore nga Partia e Alternativa, Zeqirija Ibrahimi ka reaguar në lidhje shtyrjen e regjistrimit të popullsisë për në shtator. Ai ka shkruar se regjistrimi u anulua jo nga frika e pandemisë, por nga numri i shqiptarisë, shkruan InfoShqip.
Në vazhdim mund ta lexoni të plotë reagimin nga Zeqirija Ibrahimi:
“Sot dy kryetarët e partive maqedonase, Zaev e Mickovski, qenkan marrë vesh që ta shtyjnë regjistrimin e popullsisë. Më 2011 këtë e pat bërë edhe Gruevski me Ahmetin. Kjo e shfaq dilemën se dikush po frikësohet nga numri i shqiptarëve. Por, për frikën ende nuk është shpikur ilaçi.
Është e vërtetë se pushteti 18-vjeçar i Ali Ahmetit i ka përzënë mbi 300 mijë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, por për dëshpërimin e Gruevskit, Ahmetit, Zaevit e Mickovskit, nëna shqiptare është kujdesur që numri i kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut megjithatë të rritet.
Sa për pandeminë, OKB-ja pat thënë qysh në krye të herës se në këto kushte nuk duhet të mbahet regjistrimi, madje – për informacion të opinionit – AlternAtivA pat kërkuar që të mos fillojë fare pikërisht për këto arsye. Por, tashmë kur ka filluar, anulimi i tij kur më shumë se 150 mijë shqiptarë të mërgatës janë regjistruar, flet se këtu kemi problem tjetër. Në fakt, arsyen e vërtetë e zbulon takimi maqedonas Zaev-Mickovski, duke e përjashtuar pjesën shqiptare të pozitës dhe të opozitës. Sa për opozitën, kjo është e kuptueshme, sepse ajo e ka bllokuar Kuvendin deri në miratimin e Ligjit për shtetësi, ndërsa mospjesëmarrja e Ahmetit në këtë takim flet saktë për atë që e kemi thënë shpesh, se ajo parti është vetëm dekor i qeverive të RMV-së.
Sidoqoftë, anulimi i regjistrimit nuk mund ta fshehë faktin se shqiptarët në RMV janë më shumë seç duan t’i paraqesin Zaevi, Mickovski e Ahmeti. Ky informacion i trishton dhe prandaj e anulojnë përsëri këtë proces.
Pavarësisht kësaj, shqiptarët do të vazhdojnë ta bëjnë betejën, duke i dëshpëruar të gjithë ata të cilëve u pengon numri i shqiptarëve dhe që duan që shqiptarët t’i konsiderojnë përqindje e jo komb shtetformues në RMV“, ka përfunduar Ibrahimi në reagimin e tij. /InfoShqip.com