U masakrua dhe më pas u dogj, ekspertiza për teknologun e Uzinës së Ballshit

Zbulohen detaje të tjera nga vdekja e teknologut të Uzinës në Ballsh, Shefo Duraj.

Ky i fundit u gjet i vdekur dhe me shenja në trup disa ditë më parë, dhe ishte shpallur i humbur që prej më shumë se dy javësh.

Kështu, sipas burimeve të “Panorama.al” brenda Policisë, thuhet se Duraj është masakruar dhe më pas është djegur dhe hedhur në pyll.

Dyshohet se ai është vrarë më 14 nëntor, teksa linte punën në turnin e tretë. Fillimisht policia e Fierit deklaroi se Duraj kishte vdekur në rrethana aksidentale, por u desh ekspertiza që të zbardhej se bëhej fjalë për një krim të mirëfilltë dhe të mirëpërgatitur.

Burime nga policia e Fierit thanë se, Duraj ishte goditur me mjete të forta fillimisht e më pas me thikë. Duket se autorët e kanë neutralizuar duke e qëlluar në kokë 57-vjeçarin e më pas e kanë qëlluar me thikë. Mjekët ligjorë konstatuan edhe faktin se vrasësit kanë dashur ta djegin trupin e viktimës, për të humbur çdo gjurmë.

Deri tani dyshimet janë për një konflikt të viktimës me banorë të fshatit, të cilët kanë ditur lëvizjet e tij dhe e kanë sulmuar ndërsa kthehej nga puna.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu