Berat, thikë në fyt gruas për tradhti, flet vëllai i autorit: Çfarë më tha në darkën para krimit

Autori i krimit në familje, Ruzhdi Luzi, kishte një kredi të pashlyer.
Familjarët e tij treguan dje se vështirësitë ekonomike e kishin bërë me depresion, duke rrëzuar dëshminë e 57-vjeçarit se e kishte vrarë të shoqen, Majlindën, për shkak të tradhtisë së saj.

Sipas tyre, autori kishte marrë një kredi prej 800 mijë lekësh të rinj, por me largimin nga puna nuk kishte mundësi për t’i shlyer ato, raporton Panorama.

Madje, ata tregojnë se prej 3 muajsh i ishte ndërprerë edhe energjia elektrike, pasi nuk kishte pasur mundësi që t’i shlyente faturat. Megjithëse, siç tregon i vëllai i tij, Neki Luzi, të afërmit e ndihmonin sadopak familjen e Ruzhdiut, vështirësitë bëheshin më të mëdha me rritjen e fëmijëve.

Si e përjetuat ngjarjen e rëndë?

Është e pabesueshme edhe në këto momente që ne po bisedojmë bashkë. Ruzhdiu nuk vriste asnjë mizë kur kalonte dhe jo të vriste njeri, për fat të keq bashkëshorten e tij. Mua kur më njoftuan për këtë vrasje u befasova shumë dhe nuk u besoja veshëve. Edhe në këto momente më duket e pabesueshme. Unë isha në darkë me të dhe biseduam bashkë. E pyeta pse nuk e ke bërë vajin e ullirit, pasi ullinjtë i kishte në thasë. M’u përgjigj se “nuk kam lekë për bukë vëlla dhe jo të çoj thasët në fabrikë”. E ndihmova për t’i çuar ullinjtë për vaj në fabrikë. U kishin prerë edhe energjinë elektrike se nuk i kishte paguar. Ndërsa thoshte këtë u trondit shumë, sepse nuk kishte shlyer as kredinë që kishte marrë.

Çfarë kredie?

Im vëlla ka punuar në komunën e Kozares dhe merrte një rrogë të mirë atje. Në këtë kohë mori një kredi prej 8 milionë lekësh për të ndërtuar shtëpinë, por e hoqën nga puna kur u shkrinë komunat dhe kredia i mbeti pa shlyer. Këtu e ka zanafillën sëmundja e vëllait. Ai gradualisht filloi të mbyllej në vetvete dhe nuk tregonte asgjë. Unë disa herë e kisha pyetur se çfarë e mundonte, por nuk e thoshte. Më thoshte se nuk e shqetësonte asgjë, thjesht ishte pak i mërzitur. Kohët e fundit kishte një ngarkesë të madhe psikologjike, por nuk pranonte as të shkonte te mjeku. Unë them sërish që gruaja e tij nuk e tradhtonte. Nuk e di pse iu fiksua vëllait që e tradhtonte bashkëshortja.

A keni folur me vëllanë pas krimit?

Vetëm një fjalë më tha, që më la amanet fëmijët në momentin kur e arrestoi policia. “Vëlla, amanet fëmijët, t’i kam lënë ty”, më tha.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu