Sa më shumë thellohet skandali në UT aq më shumë hesht Ministria e Arsimit dhe institucionet përgjegjëse

Publikimi i numrit të dytë të revistës “Veritas” mbi paregullsitë dhe skandalet në Universitetin e Tetovës ka ngjallur mjaftë iritim dhe regime në opinion, mirëpo jo e njejta ka ndodhur me institucionet përgjegjëse.

Pas publikimit të parë, inspektorati i arsimit inicoi një hetim në Universitetin e Tetovës, hetim i cili u duk premtues në fillimet e tija por pas zvarritjeve të shumta dhe me epilogun qesharak që nxorri shuajti shpresat për një transparencë dhe drejtësi institucionale.

Degradimi i UT-së dhe akuzat e ngritura nuk janë vetëm mbi plagjiaturat e disa profesorëve të përmendur nga revista, sigurisht që plagjiaturat janë një temë kyçe e trajtuar nga studiuesit dhe mjaftë e dëmshme për cilësinë akademike të Universitetit të Tetovës, lehtë të verifikueshme nga çdo kush por përgjegjësit e kësaj çështjeje nga Ministria e Arsimit mundohen të zvarrisin procesin duke kaluar “topin” sa tek një institucion tek tjetri.

Shumë parregullsi tjera që implikojnë rektorin, ushtruesin e detyrës të dekanit të mjekësisë që u zgjodh para pak javësh, profesorë e madje dhe zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, nuk kanë mjaftuar që institucionet dhe organet inspektuese të kenë një qasje serioze dhe të kryejnë hetime të mirëfillta.

Nëse nga publikimi i parë u inicua një hetim, i cili u hesht dita ditës, pas thellmimit të mëtejshëm të skandaleve me publikimin e dytë nuk u dëgjua asnjë reagim zyrtar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, institucioni më i lartë shtetëror për çështje arsimore dhe shkencore./InfoShqip.com


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu