Këshilli i Ministrave ditën e sotme ka vendosur që t’ia heqë nga pronësie “Piramidën” Ministrisë së Kulturës dhe t’ia kalojë atë Bashkisë së Tiranës.
Në vendim, thuhet se “Piramida” do të përdoret për si një qendër shumëfunksionale, për organizim eventesh, ekspozitash dhe gjërave të ngjashme. Në këtë mënyrë, “Piramida” do të risillet sërish në jetë.
VENDIMI KALIMIN NË PRONËSI, NGA MINISTRIA E KULTURËS (QENDRA NDËRKOMBËTARE E KULTURËS “ARBNORI”) TE BASHKIA TIRANË, TË PRONËS ME NUMËR PASURIE 1/53, TË NDODHUR NË ZONËN KADASTRALE 8160, ME SIPËRFAQE TRUALLI DHE NDËRTESE 4 294 M², DHE PËR NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.286, DATË 8.8.1991, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN E QENDRËS NDËRKOMBËTARE TË KULTURËS”.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe të neneve 3, shkronja “d”, 5, 8, 17 e 18, të ligjit nr.8744, datë 22.2.2001, “Për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, të ministrit të Kulturës dhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Kalimin në pronësi, nga Ministria e Kulturës (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”) te Bashkia Tiranë, të pronës me numër pasurie 1/53, të ndodhur në zonën kadastrale 8160, me sipërfaqe trualli dhe ndërtese 4 294 (katër mijë e dyqind e nëntëdhjetë e katër) m2, sipas planimetrisë bashkëlidhur, për t’u përdorur si qendër shumëfunksionale për organizimin e eventeve sociale, promovimin e artit, të kulturës dhe të teknologjisë.
2. Pika 2, e vendimit nr.286, datë 8.8.1991, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës”, shfuqizohet.
3. Ngarkohen ministri i Punëve të Brendshme, ministri i Kulturës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kryetari i Bashkisë Tiranë dhe kryeregjistruesi i Pasurive të Paluajtshme të Republikës së Shqipërisë për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.