Ish ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet politike në Shkup, Piter Vanhaute, ia ka kushtuar një kolumnë zgjedhjeve në Maqedoni. Ai ka përshkruar gjendjen e mjerueshme si ekonomiko-sociale, ashtu edhe politike dhe juridike të cilën e ka hasur në Maqedoni.
Vanhaute u ka bërë thirrje qytetarëve të Maqedonisë që të votojnë pa frikë, të mos lejojnë të shantazhohen ose të blihen.
“Kur të votoni këtë të diele – dhe të gjithë duhet të votoni, mos keni frikë se do ta humbni punën nëse ndryshon qeveria, por mendoni dy herë para se të votoni: mendoni për lirinë që e meritoni, për të drejtën dhe madje obligimin që kanë deputetët për të bërë pyetje të vështira Qeverisë”, ka shkruar Vanhaute.
Ai gjithashtu ka apeluar qytetarët e Maqedonisë që të mendojnë mirë për ardhmërinë e tyre para se të votojnë.
“Kur të votoni këtë të diele, mendoni për ardhmërinë tuaj dhe ardhmërinë e fëmijëve tuaj. Ju të gjithë meritoni ardhmëri më të mirë, përfshirë rroga më të mira, sistem më të mirë arsimor me respekt dhe integritet për çdo student, sistem ku gjykatësit janë të pavarur, jo skllevër të ndonjë partie politike, dhe përfundimisht një parlament që nuk do të jetë i verbër ndaj korrupsionit të politikanëve”, ka shkruar më tej Vanhaute.