E përditshmja Washington Post raporton se Agjencia Amerikane e Inteligjencës-CIA ka përfunduar hetimet rreth dyshimeve se Rusia ka punuar në zgjedhjen e Donald Trumpit si president të SHBA-ve.
Raporti i Washington Post citon zyrtarët e CIA-së të cilët shprehen se rusët ja kanë kaluar dokumentet e demokratëve platformës Wikileaks, e cila u kujdes që ato sekrete t’i mësonin të gjithë, transmeton lajmi.net.
Tutje në këtë gazetë thuhet se inteligjenca amerikane ka identifikuar individë të lidhur me qeverinë ruse, të cilët i ofruan të dhënat Wikileaksit, e kujton gjithashtu sesi Trump inkurajoi gjatë fushatës Moskën që të gjejë emailet e Clintonit, ndonëse më vonë u shpreh se ajo ishte thjesht sarkazëm.
Në bazë të hulumtimeve rriten provat se Rusia ka ndihmuar ose të paktën është përpjekur të ndihmojë në favor të Trumpit. Ndërsa tani është duke u ngritur pyetja se a do të kishte fituar Trump pa ndërhyrjen ruse, transmeton lajmi.net.
“Në fund të fundit Trump fitoi me një diferencë prej 80 mijë votave të hedhura nga tre shtete. Kjo i bie se vetëm një ndikim i vogël mund të ketë bërë bindshëm diferencën edhe pse kjo kurrë nuk do të jetë në gjendje të dëshmohet në një mënyrë apo në tjetrën”, shkruan Washington Post.
Sipas kësaj gazete, CIA ka treguar se ky është një vlerësim i bërë nga mbledhja e fakteve nga burime të shumta.
Po ashtu, CIA u ka thënë senatorëve se tani “është bukur e qartë” se zgjedhja e Trump-it ishte qëllimi i Rusisë.
Në tetor qeveria e SHBA-ve zyrtarisht kishe akuzuar Rusinë për një fushatë të sulmeve kibernetike kundër Partisë Demokratike para zgjedhjeve të 8 nëntorit./Lajmi.net/