Presidenti i ri i Iranit me gjuhë të butë për sanksionet: Përkrahim çdo plan diplomatik

Ebrahim Raisi, i cili të enjten u betua si president i ri i Iranit, nuk u shqua me gjuhën e tij të vrazhdë në fjalimin që e mbajti në ceremoninë e inaugurimit, kur ishte fjala për sanksionet ndaj Republikës Islamike.

Ai vjen në pushtet në kohën kur ekonomia e Iranit është e goditur nga sanksionet amerikane, kur kriza shëndetësore po përkeqësohet, tensionet rajonale po rriten dhe kur në Vjenë po zhvillohen negociatat e vështira me fuqitë botërore për ta ringjallur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.

Dikur shef i sistemit të drejtësisë, Raisi është kritikuar nga Perëndimi rreth të drejtave të njeriut dhe është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara, pjesërisht për shkak të përfshirjes në ekzekutimin masiv të mijëra të burgosurve politikë.

“Do të përkushtohem në shërbimin ndaj popullit, nderin e vendit, përhapjen e fesë dhe moralit dhe përkrahjen e së vërtetës dhe drejtësisë”, u zotua Raisi në fjalimin inaugurues, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.

Sa u përket sanksioneve, ai përdori një gjuhë të kujdesshme. “Sanksionet duhet të hiqen. Ne do të përkrahim çfarëdo plani që e përkrah këtë qëllim”, tha ai.

Vetëm disa orë pas komenteve të Raisit, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të ShBA-së i bëri thirrje Teheranit që t’i rinisë bisedimet për ta kthyer në fuqi marrëveshjen bërthamore.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu