Ndodh edhe kjo! Bashkia e Korçës iu kërkon 1 000 lekë qytetarëve për Goran Bregoviçin

Ftesa e Bashkisë Korçë për këngëtarin Goran Bregoviç në Festën e Birrës, ka shkaktuar mjaft reagime në rrjetet sociale. Një pjesë e reagimeve janë emocionale, megjithatë mbizotërojnë qendrimet e argumentuara kundër duke kërkuar nga Shqipëria që të bëjë empati me shqiptarët e Kosovës, të cilët i kanë ende të freskëta plagët e luftës dhe masakrave nga ushtria e Millosheviçit, ndaj regjimit të të cilit Bregoviç nuk ka dalë asnjëherë kundër. Madje, ndërkohë që NATO sulmonte regjimin e Millosheviçit për masakrat në Kosovë, Bregoviç bënte koncerte kundër bombardimeve në sheshet e Athinës.

Por, pavarësisht kësaj Bashkia e Korçës nuk është tërhequr nga ftesa për Goran Bregoviç duke arsyetuar se nuk duhet përzierë arti me politikën dhe argumente të ngjashme.

Madje, ajo ka guxuar edhe më tej. Ndërkohë që shqiptarët përplasen mes veti me argumente kundër dhe pro pranisë së tij, nisur nga e shkuara e këngëtarit, Bashkia e Korçës ka nxjerrë në shitje biletat për çdokënd që do të dojë të dëgjojë këngën “Kallashnikov” apo të ngjashmet e saj.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të saj, Bashkia e Korçës ka nxjerrë edhe linkun ku mund të blihen biletat me vlerë 1 000 lekë!

Edhe sikur të mos ekzistonte ndjeshmëria ndaj pranisë së Bregoviçit në Korçë, Festa e Birrës është një organizim që bëhet me fonde publike, ç’ka e bën tepër të guximshëm këtë veprim të bashkisë. Nga njëra anë Bashkia e Korçës shpenzon taksat e qytetarëve për të bërë një organizim të tillë dhe nga ana tjetër iu kërkon atyre bileta për të dëgjuar një këngëtar, qoftë edhe si Goran Bregoviç.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu