“Rama shkel në plagë të shqiptarëve”, pse Goran Bregoviç nuk duhet të këndojë në Shqipëri?

Festivali i Birrës në Korҫë do të mbahet brenda pak ditësh dhe i ftuar në këtë festival është këngëtari serb, Goran Bregoviҫ. Ftesa për këtë këngëtar ka ngritur shumë reagime nga politikanë e artistë të shumtë. Ata kanë kritikuar kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke vënë edhe në dyshim qëndrimet dhe raportet e tij me Kosovën.

Pavarësisht kritikave, organizatorët e këtij Festivali nuk e kanë anuluar ftesën për këngëtarin serb që dikur nxiste urrejtje ndërmjet kombesh me këngët e tij.

Muharremi: Në Ballkan serbët vuajnë ende nga ndjenja e nacionalizmit

Kështu, artisti Ilir Muharremi, në një prononcim thotë se e keqja e madhe dhe e dhimbshme është atëherë kur arti përdoret përmes politikës, ose artisti është viktimë e politikës.

“Në fakt duhet e kundërta, politika t’i shërbejë artit sepse arti është rregullatori më i mirë i çështjeve. Në Ballkan serbët vuajnë ende nga ndjenja e nacionalizmit sepse po t’i përkthesh këngët e Goran Bregoviҫit, në lexim të parë nuk vëren nacionalizëm por po t’i hysh në thellësi këngëve, sidomos simboleve, në këtë rast që përdorë kallashnikovin si këngë të famshme e cila në lexim dhe dëgjim nuk përmend shqiptarët e as luftën, por biografia e tij na dërgon mu te rrënjët e luftës. Ardhja e tij në Korҫë prek një plagë ende të hapur të Kosovës. P.sh të vrarët gjatë luftës, të pagjeturit pas luftës etj. Rama me ekstremitet shkel dhe lëndon këto plagë të njerëzve. Ku është qëllimi? Të hap një rrugë mes serbëve dhe shqiptarëve përmes artit nacionalist? Kjo është e gabuar”, vlerëson Muharremi.

Sipas tij, ka këngëtarë serbë të lindur pas luftës së fundit të Kosovës të cilët janë më të mirë dhe nuk janë të prekur nga politikat shoveniste të tyre.

“Ose pse nuk thërret ndonjë këngëtar italian të cilët janë shumë më shumë më të dëshmuar në art se serbët. Fundja, Bregoviҫi është plagjiator i keq dhe këngëtar i dobët. Nuk e kuptoj Ramën që sjell këngëtarë të dobët serbë dhe plagjiatorë në festival. Mendoj që Kosova me të drejtë lëndohet nga kjo, por nuk e ka fajin Shqipëria sepse populli shqiptar është në anën e Kosovës e jo Rama-Bregoviҫ”, ka deklaruar ai.

Muharremi tutje thotë se e drejta e secilit sot në këtë kohë është ta pëlqejë ҫfarëdo muzike, mirëpo duke pasur parasysh rrethanat, njerëzit duhet të jenë me objektiv, të gjykojnë vlerën e artit e jo si rasti në fjalë.

Zeqiraj: Bregoviç, ky bekues i zellshëm dhe i zëshëm i luftës supermizore.

Edhe publicisti dhe njohësi i ҫështjeve politike, Idriz Zeqiraj, thotë se njoftimi i bërë publik për pjesëmarrjen e këngëtarit serb, Goran Bregoviç, në Festën tradicionale të Birrës në Korçë, si pjesëtar aktiv i propagandës artistike, në shërbim të luftës pushtuese të Serbisë, ka ngjallur reagime të shumta.

Ai thotë se një organizatë atdhetare në Korçë, është deklaruar për organizimin e protestave, me kërkesën për anulimin e ftesës, për këngëtarin Bregoviç, bekues i zellshëm dhe i zëshëm i luftës superkriminale, të policisë dhe të ushtrisë terroriste të Millosheviçit.

“Ndërkohë, nënkryetarja e Bashkisë së Korçës, ka provokuar qytetarët, duke thënë se “shqiptarët nuk janë aq të guximshëm, sa për ta penguar këngëtarin mysafir Bregoviç!” Edhe përgjigja reaguese e ftuesve të Bregoviçit, ka qenë mospërfillëse dhe fodulle, duke thënë se “ftesa për mysafirin e nderuar nuk mund të anulohet, madje, për çfarëdo arsye, sepse miku i ftuar duhet pritur me respektin më të madh!” Mediet e afërta me qeverinë shqiptare, të cilat janë numerike, ditëve të fundit, kanë rritur minutazhin agjitues përlavdërues për këngëtarin në fjalë, madje, duke bërë pyetje e sondazhe bulevardeve dhe rrugëve shqiptare. Dhe, televizionet transmetojnë vetëm simpatinë e shprehur në superlativë, për këngëtarin serb Bregoviç”, është shprehur Zeqiraj.

Sipas tij, një traditë të nismuar përgjatë Luftës së Dytë Botërore, dy shtetet komuniste, Shqipëri-Jugosllavi, e shpërfaqin edhe sot.

“Pavarësisht zënkave verbale e shkrimore, tradita e bashkëpunimit, madje, në të gjitha fushat jetësore, ka vazhduar në mes të këtyre dy vendeve ballkanike. Realisht, Shqipëria ka shpërfillur në vijimësi interesat e Kosovës, me preferencën për të koketuar dikur me Jugosllavinë, sot me Serbinë”, ka thënë ai.

Zeqiraj po ashtu ka thënë se ftesa artistike për këngëtarin Goran Bregoviç, është sinjal përafrimi politik i Shqipërisë me Serbinë dhe se kjo na kujton politikën e ping-pongut kinez, si parathënie e hapjes ndaj perëndimit.

“Tërheqjen e vëmendjes nga zhvillimet rapide politike, për një shou artistik të Ramës, i mësuar me karaxhozllëqet e tij, me kritika e të shara pa doganë fare; Promovimi i përshpejtuar i projektit të ashtuquajtur “Ballkani i hapur”, si testim e joshje ofertuese për ballkanikët tjerë. Presidenti serb Vuçiq, nuk e ka fshehur konsideratën e lartë, që ka për kryeministrin shqiptar Rama, në përballjet me shqiptarët plagë-hapur, nga gjenocidi serbo-sllav, të cilët e kanë të vështirë, në mos të pamundur, faljen e krimeve serbe. Aq më tepër, kur serbët nuk kërkojnë falje, nuk pendohen për krimet serike e masive të bëra në Kosovë”, ka vlerësuar ai.

Zeqiraj ka deklaruar tutje se politika shqiptare, që nga vitet `40-a, në pjesën më të madhe, ka qenë në rrjedhën e kundërt të pjesës absolute të shqiptarëve, ka qenë pjesë e së keqes, ka filluar me kryetradhtitë e Enver Hoxhës dhe të bandës së tij komuniste, me Masakrën e Tivarit dhe dhënien e dhunshme të shtetësisë shqiptare refugjatëve të Krahinës së Çamërisë, në vitin 1951, duke i lënë përjetësisht pa vendlindje, pa atë pjesë të Atdheut sepse Greqia nuk pranonte shtetësi të dytë dhe ua hoqi shtetësinë greke çamëve, të përzënë me vrasje e terror, në grup, me një dekret kushtetues.

“Presidentja dinjitare, Vjosa Osmani, në Parlamentin Shqiptar, denoncoi krimin makabër të regjimit vrastar të Enver Hoxhës, i cili e varrosi të gjallë, në burgun-Kënetë të Maliqit, Korçë, xhaxhain e nënës së saj, bashkëluftëtarin e Shaban Polluzhës dhe të Mehmet Gradicës, Kolonel Sylejman Vuçiterna, ish-kryetar i Këshillit Ushtarak të Mbretërisë Shqiptare! Në vizitën e parë të Enver Hoxhës, të bërë në Tropojë, në vitin 1970, do të deklaronte se “me popujt vëllezër jugosllavë, kemi derdhur gjakun në të njëjtat fushëbeteja!” Që këtej do të fillonte përndjekja politike e penale e emigracionit kosovar, përplasja në burgjet shqiptare, me porosinë e drejtpërdrejt të palës jugosllave. Vrazhdësia trajtuese ishte unike; maltretimi, deri në mbytje, siç ishte rasti i grupit të profesorëve nga Rugova e Peja: Shefqet, Selim, Istref Kelmendi dhe Namik Luci, të akuzuar, falsifikueshëm, për hedhjen e bombës në ambasadën jugosllave në Tiranë”, ka theksuar Zeqiraj.

Ai në këtë rast ka përmendur të gjithë emrat që kanë rënë pre e ‘gjuetisë së shtrigave të qeverisë komuniste”.

“Gjuetisë së shtrigave të qeverisë komuniste, nuk i shpëtoi as garda e vjetër e nacioalistëve kosovarë: Aziz Zhilivoda, Eshref Hoti, Shaban Basha, Qazim Bllaca, Prof. Selman Riza, Zeqir Rashica, Hashim Toplica, Remzi Bushi, Avdulla Zagora, Qazim Kreku, Fetah Sedllari, Hoxhë Visoka, Hoxhë Marevci, për të vazhduar me Nazmi Berishën, Esat Miftarin, Hysen Bukoshin, Murteza Bajraktarin, Qerim Jakupin, Ismet Boletinin, Ali Statovcin, Selim Xhakën dhe qindra të tjerë. Përfshi këtu edhe autorin e këtij shkrimi, i dënuar për një letër-përgjigje grupit ilegal në Kosovë, të kryesuar nga Kadri Os(Mani), Binak Ulaj, Xhafër Shatri, Metë Shatri, me shokë. Letra me titull “Taktika dhe strategjia për realizimin e Republikës të Kosovës”, u konsiderua si subversion politik ndaj Jugosllavisë, me qëllim të prishjes të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave”, ka deklaruar Idriz Zeqiraj.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu