Yuri Kim flet për afganët në Shqipëri: Nuk e dimë numrin ende, strehimi i përkohshëm

Ambasadorja amerikane Yuri Kim foli në lidhje me ardhjen në Shqipëri të afganëve që po ikin nga regjimi i talebanëve në Afganistan. Në një reagim pas takimit me ministren Xhaçka, Kim tha se gjërat po ndryshojnë shumë shpejt dhe nuk ka një numër të saktë ende të afganëve që do të strehohen në Shqipëri.

Ajo tha se strehimi i tyre në Shqipëri do të jetë i përkohshëm deri sa të përfundojnë procedurat ligjore të hyrjes së tyre në SHBA duke theksuar se bashkëpunimi me qeverinë shqiptare është i ngushtë.

“Kishim një takim shumë të mirë sot. Jemi të prekur nga vendimi i Shqipërisë për t’i dhënë strehim të përkohshëm. I shpreh mirënjohje popullit shqiptar për ndihmën e tyre. Ne nuk kemi një numër të saktë ende, po ndryshon shumë shpejt. Njerëzit do të vijnë këtu përkohësisht dhe më pas do të vendosen në SHBA. Disa po vendosen direkt në SHBA”, tha ambasadorja.

Lexo edhe: “Të lutem mos e hap derën”, thirrjet rrëqethëse nga afganët: Po presim radhën nga talebanët

Shqipëria shprehu gatishmërinë për të pritur një numër afganësh që kërcënohen nga regjimi i talebanëve pasi ata morën kontrollin e Afganistanit. Pritet që ata të strehohen në një ambient në Qytetin Studenti dhe hotele në Tiranë dhe Durrës deri në përfundimin e procedurave për marrjen e vizës me qëllim futjen në SHBA.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu