Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka komentuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, ku shqiptarët fituan më pak se sa kishin parashikuar.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Ymeri ka thënë se Bashkimi Demokratik për Integrim, parti e cila mori më shumë deputetë nga shqiptarët, nuk duhet të bëhet pjesë e qeverisë dhe t’i mundësojë Gruevskit edhe një mandat, pasi ky i fundit ka dëshmuar në shumë raste qëndrimin e tij shovinist ndaj shqiptarëve.
“Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare në Maqedoni treguan që bashkimi paraprak i Lëvizjes BESA dhe Aleancës për Shqiptarët do t’i nxirrte ato fuqishëm si subjektin e parë shqiptar.
Pra, shqiptarët e Maqedonisë gjithsesi e duan ndryshimin. Në anën tjetër, shqiptarët aq shumë e duan ndryshimin saqë një numër i konsiderueshëm i tyre e kanë votuar LSDM-në si nga urrejtja për VMRO-DPMN-në po ashtu edhe nga nevoja për orientim social-demokrat.
Partitë shqiptare në Maqedoni bëjnë mirë ta kenë parasysh këtë gjë në ditët në vijim por edhe në të ardhmen në përgjithësi”, ka shkruar Ymeri.
Lideri i VV-së ka shkruar gjithashtu se ndjen keqardhje se si shqiptarët kanë pësuar rënie në fuqinë e përgjithshme politike.
“Është për keqardhje se si shqiptarët kanë pësuar rënie në fuqinë e përgjithshme politike. Një pjesë të përgjegjësisë për këtë e kanë drejtpërdrejt partitë shqiptare që nuk arritën të bëhen bashkë nën një platformë kombëtare”, ka thënë Ymeri.
Ai ka shtuar se “rezultatet përfundimtare e tregojnë varësinë që partitë politike të maqedonasve, konkretisht Gruevski, kanë nga partitë politike të shqiptarëve.
Prandaj BDI, e cila mori më së shumti deputetë nga shqiptarët, nuk duhet të bëhet pjesë e qeverisë e t’ia mundësoj Gruevskit edhe një mandat. Gruevski e ka dëshmuar në shumë raste qëndrimin e tij shovinist ndaj shqiptarëve. Prandaj ai nuk duhet ndihmuar.” /albeu.com/