Pasi ka siguruar një mandat deputeti, Zeqirija Ibrahimi i BESËS në Maqedoni, ka zgjedhur t’i përcjellë një mesazh opinionit, padyshim falenderues.
Por interesant në fjalët e tij, është fakti se ai ka potencuar barrën e përgjegjësisë mbi gëzimin e të qënit deputet. Për këtë, ai u kërkon njerëzve që ta korigjojnë nëse gabon.
Zeqirija Ibrahimi është një intelektual race ndër shqiptarët e Maqedonisë, person me staturë publike të pastër publike, nga ata që dikush do shprehej se “më mirë një kalë race sesa 10 gomerë në parlament”, si për t’ju kundërvënë zërave që e konsideronin fatalitet uljen e numrin të deputetëve shqiptarë në parlamentin maqedonas.
Ja dhe mesazhi i tij:
Të nderuar miq, familjarë, aktivistë dhe qytetarë,
Tashmë kur kanë përfunduar zgjedhjet, unë dua t’ju falënderoj publikisht për kulturën demokratike dhe mbështetjen për këto zgjedhje. Në veçanti i falënderoj aktivistët e koalicionit “Rilindje me BESË”, që shfaqën vetëmohim të skajshëm dhe sakrificë të pashembullt, duke punuar me plot vullnet e entuziazëm për suksesin tonë në zgjedhje.
Në këto zgjedhje kam qenë shumë i lumtur që kam takuar njerëz që nga Seiti i ri i Serovës, i cili nuk shikonte orë e temperaturë, Ertani në karrocë, që të magjeps me buzëqeshjen e tij, e deri te Haxhi Enveri e Haxhi Sherifi – burra mbi 70 vjeç, që me gjithë familje na kanë mbështetur edhe në tubime jashtë Shkupit. Ky ka qenë një vullnet që nuk përshkruhet dot me fjalë. Kur shkova mbrëmë në Çairçane për t’i falënderuar ata që kishin dalë të festonin, në përqafimet e njerëzve ndjeja edhe lot gëzimi. Shumicën e atyre njerëzve kurrë nuk i kam njohur dhe nuk kisha si mos emocionohem që ata ishin gëzuar për këtë fitore më shumë se unë, që isha bartës i listës. Zaten unë më shumë e kam hallin e përgjegjësisë që e kam marrë mbi supe sesa gëzimin e fitores.
Meqë emrat e atyre janë tashmë me mijëra dhe unë e kam të pamundur t’i falënderoj të gjithë, dua që publikisht përmes këtij rrjeti social t’i falënderoj përzemërsisht nga zemra të gjithë ata dhe të lutem që Zoti t’i shpërblejë për mundin dhe mbështetjen.
Të nderuar, meqë ideja dhe ideali jonë janë maratonë dhe jo një garë e shkurtër, unë ju ftoj që të vazhdoni të na mbështetni deri kur të na besoni se jemi në rrugë të drejtë dhe të na korrigjoni kur ta shihni se gabojmë. Vijnë zgjedhjet lokale dhe ne jemi këtu që t’i marrim komunat që t’u dëshmojmë shqiptarëve se vërtet jemi hyzmeqarë dhe shërbëtorë të popullit.
Prej mbrëmë shqiptarët kanë filluar ta ndjejnë erën e lirisë. Nuk do të ketë më hakmarrje, largime nga puna, shantazhe, kushtëzime dhe kërcënime. Secili mund të zgjedhë rrugën e tij dhe të vendosë kë do ta votojë dhe askush nuk do ta vuajë për këtë. Ne jemi një komb dhe nuk kemi pse të mbajmë mëri e hasmëri për shkak të politikës.
Kjo fitore nuk është e imja, as vetëm e Lëvizjes BESA, as vetëm e koalicionit “Rilindje me BESË”, madje as vetëm e aktivistëve tanë. Kjo është fitore e mbarë popullit shqiptar.
Prandaj, shqiptarë të dashur, ju faleminderit të gjithëve dhe Zoti ju bekoftë e ju nderoftë!