Bilal Kasami: Në Maqedoni duhet të krijohet qeveri teknike ​

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni që u mbajtën më 11 dhjetor prodhuan edhe surpriza. Lëvizja BESA e cila për herë të parë mori pjesë në një proces zgjedhor doli surprizë e këtyre zgjedhjeve.

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami në një intervistë për Anadolu Agency (AA) ka folur për procesin zgjedhor në Maqedoni, rezultatet, parregullsitë zgjedhore, formimin e qeverisë së re, akuzat ndaj partisë së tij nga qarqe të caktuara dhe çështje të tjera.

Ai gjatë intervistës deklaroi se duhet të rishqyrtohet kërkesa e Lëvizjes BESA për qeveri teknike dhe e njëjta qeveri të organizojë më pas zgjedhje të reja në vend. Ai gjithashtu theksoi se BESA është e dëmtuar në dy zona zgjedhore si pasojë e parregullsive.

Sipas tij, këto parregullsi i kanë marrë dy mandate deputetësh partisë së tij. Duke komentuar rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, Kasami tha se edhe përkundër presioneve të shumta Lëvizja BESA doli surprizë e këtyre zgjedhjeve.

“Edhe përkundër faktit që ka patur shumë presion ndaj votuesve tanë, edhe përkundër faktit që BDI ka bërë shantazhime ndaj votuesve të administratorëve të nëpunësve shtetërorë Lëvizja BESA ashtu edhe siç pritej doli fituese surprizë e këtyre zgjedhjeve. Ne vazhdojmë luftën tonë politike që votuesi të ketë të drejtën e cila është e drejtë elementare njerëzore, të drejtën e votës dhe askush të mos ia cenojë atë të drejtë”, tha Kasami.

Në lidhje me parregullsitë, kreu i Lëvizjes BESA tha se të njëjtat i kanë marrë dy deputetë partisë së tij në dy zona zgjedhore. Sipas tij, në çdo vendvotim ka patur parregullsi.

“Ne jemi të vetëdijshëm që në këto rrethana ka pasur keqpërdorime të votës dhe më së shumti ne si parti jemi dëmtuar. Ne si parti do ti shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucionale, ligjet dhe aktet nënligjore që të kthejmë votën e qytetarit aty ku duhet të jetë. Ne kemi dy zona zgjedhore ku së paku jemi direkt të dëmtuar dhe na është marrë nga një deputet. Ajo është zona e gjashtë dhe e dytë zgjedhore. Ne jemi në analizë e sipër të rezultateve zgjedhore dhe punojmë fuqimisht që përmes ankimimeve dhe të gjitha procedurave ligjore që ti kthejmë këto dy mandate shtesë”, theksoi Kasami.

Ai është i mendimit se pas këtyre zgjedhjeve në Maqedoni duhet të ketë qeveri teknike e cila do të organizojë më pas zgjedhje të reja në vend.

“Vlerësoj se këto zgjedhje duhet të jenë vetëm një urë e kalimit nga ajo situatë e rëndë e krizës në të cilën ishte Maqedonia drejt një stabiliteti afatgjatë si në aspektin ekonomik ashtu edhe përgjegjësisë së shoqërisë këtu në Maqedoni. Prandaj pas gjithë këtyre kombinatorikave dhe dështimeve me të cilat u ballafaqua Maqedonia dhe qytetarët e saj vlerësoj se do të duhet të rishqyrtohet seriozisht oferta e Lëvizjes BESA që pas këtyre zgjedhjeve të dalë një qeveri teknike, qeveri e cila do të ketë mandat rikthimin e Maqedonisë në një normalitet, qeveri e cila do të ketë detyra të caktuara dhe e cila do të ketë për obligim përgatitjen e vendit për zgjedhje të reja”, tha Kasami.

Më tej ai thotë se Lëvizja BESA doli në skenën politike që të shpëtojë shqiptarët dhe Maqedoninë, duke thënë se “ne arritëm të shpëtojmë aq sa mundëm”.

“Po të mos kishte dalë në skenën politike Lëvizja BESA vlerësojmë se shqiptarët me dominancë do të kishin votuar një opsion për të cilin vlerësojmë se ende nuk është e gatshme Maqedonia. Prandaj vlerësojmë se Lëvizja BESA i shpëtoi shqiptarët dhe e shpëtoi Maqedoninë”, thotë Kasami.

Ai në vazhdim foli edhe për gatishmërinë e liderit të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) Menduh Thaçi që mandatet e partisë së tij t’i vë në dispozicion për Lëvizjen BESA.

“Në deklarimin publik e falënderova PDSH-në dhe liderin e saj për këtë gatishmëri që të përkrahë Lëvizjen BESA në rrugëtimin e saj drejt qëllimit dhe ajo është që shqiptarët e Maqedonisë të jenë të barabartë si komb në Maqedoni por edhe të gjithë qytetarët të jenë të barabartë dhe të mos ketë diskriminim as në nivel etnik e as në atë kulturor. Të gjithë ata që na përkrahin në këtë rrugëtim tonin jemi falënderues dhe do t’i llogarisim bashkëpunëtorë tanë”, tha kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami.

Në intervistën për AA, ai gjithashtu komentoi edhe akuzat ndaj BESA-s për gjoja “parti euroaziatike”.

“Të akuzohesh për orientime të tilla nga ata të cilët bazë ideologjike të tyre e kanë Rusinë, komunizmin, marksist-leninizmin vërtetë është e pamoralshme, por ja që në politikë gjithçka është e mundur dhe këta e shfrytëzuan këtë të drejtë politike që të akuzojnë Lëvizjen BESA edhe përkundër faktit se Lëvizja BESA është i vetmi subjekt politik, autokton, autentik dhe autonom i shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë”, tha mes tjerash Kasami.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu