Nga: Alpin Ollogu
Ligji për Lojërat e Fatit, në betejën e kufizimit dhe reduktimit të tyre, viteve të fundit ka qenë tematikë tepër e debatueshme në Maqedoninë e Veriut. Projektligjet e propozuara nga partitë politike, kryesisht shqiptare, kanë pësuar ndryshime të shumta, për të vazhduar edhe sot zvarritja e mëtejshme e miratimit të një versioni përfundimtar të projektligjit. Ashtu siç dihet, LSDM-ja dhe VMRO-ja e mbrojnë me të gjitha mënyrat aktivitetin e lojërave të fatit, ndërsa partitë shqiptare, njëra e penguar ose detyruar nga bashkëqeversja me LSDM-në, zvarrit projektligjin dhe nuk ka një qëndrim përfundimtar zgjidhjeje, kurse tjetra, nga komoditeti i propagandës opozitare ose ndoshta qëllimi i sinqertë, mbetet në nivelin e premtimit për mbylljen e tyre, në një qeverisje të mundshme të së nesërmes.
Në këtë tablo të situatës, është i pakuptimtë dhe absurd protestimi i Forumit Rinor të Bashkimit Demokratik për Integrim në qytetin e Gostivarit, ndaj fenomenit masiv të kazinove. E kuptimtë dhe e sinqertë do të ishte nëse protesta e Forumit Rinor do të ishte adresuar ndaj qeverisë, organeve më të larta partiake, që kjo e fundit të lëvizte seriozisht lokomotivën qeveritare për zgjidhjen përfundimtare të kësaj problematike shqetësuese në vendin tonë. Forumet rinore të partisë duhet të udhëhiqen nga demokracia e brendshme partiake, autonomia e organeve për të sjellë frymën e nevojshme të ndryshimit dhe zhvillimit brendapartiak, që kjo të reflektohet në politikat e së nesërmes dhe jo të bëhen shërbim i propagandave të pakuptimta, të keqadresuara për politika ditore të x kandidatëve për kryetar komune apo gjetiu.
Nëse duam prej vërteti ti ndihmojmë kauzës, zgjidhjes së saj për ndalimin apo kufizimin e nevojshëm të lojërave të fatit, pa demagogji dhe pa filozofi boshe, duhet ta themi të vërtetën. Opozita shqiptare, ka premtuar zëshëm në fushatat e fundit zgjedhore se do të mbyllë tërësisht lojërat e fatit në shembullin e Kosovës dhe Shqipërisë, kundrejt zvarritjes dhe ndryshimit të projektligjeve të lojërave të fatit propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, të cilat edhe në ato versione të pakënaqshme për zgjidhjen e problemit, kanë mbetur të pamiratuara. Këtë llogari të bëjnë forumet rinore të partive, dhe jo propaganda të porositura lokale pa asnjë interes publik, pos interesit të politikave ditore lokale. Kompetent për ndryshimin e gjendjes me kazionotë dhe bastoret nuk ështe kryetari i Gostivarit apo çfarëdo komune tjetër në vend, por është qeveria, dhe ky është problem kryekëput i qeverisë, i shumicës parlamentare.
Çdo keqpërdorim, devijim dhe keqmenaxhim i forumeve rinore të partive politike, me propaganda apo akuza false, ja humbet partisë elanin e demokracisë së organeve të saj, ja humbet qëllimin për të cilën janë krijuar si dhe shërbimit të interesave të vërteta publike.