Në zgjedhjet e 11 dhjetorit 2016 në Maqedoni, krahas rezultatit të zgjedhjeve, ku shqiptarët humbën shtatë deputetë, sepse dolën me më pak deputetë sesa në zgjedhjet e kaluara, ngaqë mbi 70 000 vota shqiptare shkuan në partinë maqedonase LSDM, realitet i hidhur ky, për të cilin duhet një analizë e domosdoshme, ngjarje me rëndësi historike e këtyre zgjedhjeve është fitorja dhe zgjedhja deputet e shqiptarit të madh Branko Manojlovskit, këtij biri të madh të kombit tonë, që me heroizëm të pashembullt u kthye edhe publikisht e botërisht te rrënjët e gjyshërve dhe të stërgjyshërve tanë ortodoksë shqiptarë.
Pas Shqipërisë dhe Kosovës, populli shqiptar në Maqedoni, edhe pse nga numri i popullsisë është i treti me radhë në hapësirën unike dhe të ndarë shqiptare nga trungu i lashtë, në shumë raste qëndron në toplistën e ngjarjeve të mëdha e të bujshme, rëndësia e të cilave është e përmasave kombëtare dhe përbën ngjarje dhe lajm edhe ndërkombëtar. BDI-ja, e cila drejtohet me largpamësi e kompetencë nga luftëtari e komandanti famëmadh i UÇK-së, udhëheqësi i popullit shqiptar Ali Ahmeti, nga këto zgjedhje doli fitimtare, por e dëmtuar dhe e lënduar, sepse populli shqiptar përfaqësohet jo sikur në legjislativin e vitit të kaluar, pra ka më pak deputetë shqiptarë në parlamentin maqedonas, por shkëlqim të veçantë, historik dhe të panjohur deri më sot, zgjedhjeve parlamentare në ish-Republikën Jugosllave, sot shteti i Maqedonisë i pranuar dhe i njohur ndërkombëtarisht, u jep zgjedhja e deputetit shqiptar ortodoks Branko Manojlovski.
Në këtë atmosferë, kur një numër i madh i votës shqiptare në Maqedoni e pas epokës së UÇK-së ka shkuar në sofrën e LSDM-së, dhembjen e bën më të lehtë dhe perspektivën e të ardhmen të qartë dhe të sigurt, dalja në tribunën e kuvendit të shqiptarit atdhetar e dalzotësit të fateve të ortodoksëve e të çështjes shqiptare në Maqedoni, figurës së ndritur patriotike Branko Manojlovski. Urojmë të qëndrojë besnik dhe i pathyeshëm përkrah shqiptarit legjendar Ali Ahmeti dhe deputetëve të tjerë shqiptarë në mbrojtje të interesave të popullit, atdheut dhe të kombit shqiptar! Është fitore e madhe të jetë Branko Manojlovski deputet i popullit shqiptar në Maqedoni.