Në një prononcim për gazetën ‘Lajm’ shkrimtari Kim Mehmeti thotë se “duhet të jesh mbi mesataren naiv politik që të mos e kesh kuptuar se nuk ishte opozita e dobët maqedonase ajo që e mbajti aq gjatë në pushtet VMRO-DPMNE’në, por ishin injoranca, banditizmi dhe interesi personal i drejtuesve të korruptuar të BDI’së ato që e bënin të fortë këtë regjim antishqiptarë. Sipas tij, edhe rënia e këtij regjimi ndërlidhje më shumë me dobësimin e BDI’së, se sa me atë të VMRO-DPMNE’së maqedonase.
“Regjimin DPMNE-BDI kurrë nuk do mund ta rrëzonte as opozita maqedonase, e as shqiptarët që nuk u besuan partive të veta opozitare dhe votuan për LSDM’në maqedonase, por vetëm ata heronjtë tanë të cilët, edhe pse ishin të shantazhuar e të kërcënuar nga banditët dhe rrugaçët e BDI’së, nuk u dorëzuan dhe dolën e votuan për Lëvizjen BESA”, vlerëson Mehmeti.
Më tej Kim Mehmeti e komenton edhe sjelljen e partive shqiptare lidhur me koalicionin e ardhshëm qeverisës.
“Tingëllon nga pakë absurde brenga e partive shqiptare lidhur me atë se si do bëhet halli me koalicionin e ardhshëm qeveritar dhe, mos na ndodh gjëma që Maqedonia të na mbetet pa qeveri. Si nuk doli një burrë dhe këtyre kryepartiakëve tanë t’u thotë: Zotërinj, mos u merakosni së tepërmi dhe mos u ngutni si BDI’ja, e cila ende pa gdhirë e hëna paszgjedhore, me vrap shkonte te selia e VMRO-DPMNE’së ku u përkulej dhe i luste ‘sashot’ që ta pranonin në koalicionin qeverisë! Pra t’u thotë: Zotërinj , shqyrtoni mundësinë që Maqedoninë ta lini për një kohë pa qeveri, sepse ndoshta vetëm kështu do ia dilni t’i kthjellni e t’i bini në vete politikanët maqedonas që besojnë se mund të ndërtojnë shtet pa ne shqiptarët”, thotë shkrimtari ynë Kim Mehmeti.
582