Aleppo, qyteti që vdiq para syve tanë

«Të vdekurit janë në rrugë», shkruan Zuhir al-Shimale nga Halepi. «Shpëtojeni Halepin, shpëtojeni humanizmin», klith Lina Shami. «Fëmijët tanë po i masakrojnë», alarmon Sakir Kader. Qyteti dikur i bukur i Halepit po përjeton finalen e përgjakshme. Dhe bota, ajo botë që e quajmë të civilizuar, humane, të drejtë, është e pafuqishme për t’i dhënë fund tmerrit. Me ndihmën e Rusisë ushtria e diktatorit Bashar al-Asad ka marshuar në Halep, ndërkohë thuhet se është arritur një marrëveshje për tërheqjen e kryengritësve, të cilët me vite të tëra i kishin rezistuar regjimit kriminal të Damaskut. Organizatat humanitare raportojnë se ushtria siriane po masakron civilë. Ndërsa mbi Halep bie terri dhe vazhdon barbaria, bota kujton dështimet e së kaluarës.

Mbi tre vite bota perëndimore toleroi rrethimin e Sarajevës – më i gjati rrethim në historinë moderne. 11 mijë të vrarë, mes tyre 1600 fëmijë. Në Sarajevë një përmendore e thjeshtë kujton emrat e tyre. Jetën e tyre të njomë. Në një ditë korriku të vitit 1995 forcat serbe, të prira nga gjenerali Ratko Mladiq, i cili më parë kishte shërbyer në Prishtinë, masakruan rreth 8 mijë boshnjakë. «Ka ardhur dita t’u hakmerremi turqve», kishte thënë ksenofobi Mladiqi. Në Srebrenicë Europa e civilizuar përjetoi humnerën e vet – një humnerë që të kujton romanin «Condition hamaine» të shkrimtarit francez André Malraux mbi ekzekutimin e punëtorëve në Shangai.

«Do të vdesim të gjithë, pa marrë parasysh si merr fund kjo punë. Lutuni për ne». Edhe një mesazh nga Halepi. Nëpër rrugë të mbijetuarit kërkojnë shpëtim, të vdekurit mbulohen nga pluhuri, të plagosurit s’ka kush t’i mjekojë. Nga Beogradi ministri i Jashtëm rus premton miqësi të përhershme me politikanët serbë – dhe kërcënon liderin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili ka zgjedhur rrugën e integrimeve europiane e transatlantike, sa më larg përqafimit rus. Për Halepin Sergej Lavrov ofron vetëm një buzëqeshje cinike. Kryetari i zgjedhur amerikan D.T. gjen kohë të grindet në Twitter me çdokënd, por të thotë një fjalë për Halepin duket se nuk ka as kohë, as dëshirë, qyteti i përgjakur nuk është në agjendën e tij. Kaloi koha kur Amerika mbronte të drejtat e njeriut. Tash i mbron vetëm të drejtat e baronëve të naftës.

Në vitin 1986 qyteti i lashtë i Halepit u shpall nga UNESCO pjesë e trashëgimisë botërore. Njerëz nga mbarë bota kanë vizituar këtë qytet, duke realizuar një ëndërr – ëndrrën e Orientit të bukur. Legjenda thotë se profeti Ibrahim këtu kishte mjelë një lopë dhe ua kishte shpërndarë qumështin të varfërve. «Halab» i thonë arabët këtij qyteti, domethënë: të mjelësh. Halepi është ndër qytetet më të lashta të botës. Që në shekullin e ’19 para Krishtit, në kohërat e thella antike, emri i qytetit u përmend për herë të parë. Persianë, aramerë, asirianë, grekë, sasanidë, selxhukë, romakë dhe të tjerë sunduan Halepin. Pastaj mongolë e mamlukë, osmanë, francezë dhe sirianë. Nën sundimin grek qyteti quhej Beroia, ndërsa tregu i madh Agora.

Të gjithë këta popuj lanë gjurmë në këtë qytet. Kulturë. Dije. Tregime. Doke. Zakone. Halepi ishte qendër e tregtisë me një pazar të madh, më i madhi në botë, mes 7 dhe 12 kilometra janë të gjata rrugët me dyqane. Këtu gjendej gjithçka. Gështenja, fëstëk, lajthi, mjaltë, bakllava, farkëtarë, këngëtarë, instrumente muzikore, bylmet, mëlmesa, vegla pune, berberë, teneqexhinj, poçarë…

Porta e madhe, monumentale e hanit al-Vazir dëshmon se ky qytet ka qenë një qendër e madhe tregtare. Këtu karvanët sillnin dhe merrnin mallin, këtu, nga kështjella e famshme, 60 metra mbi pazar, mund të vëzhgohej qyteti dhe jeta orientale. Në oborrin e Xhamisë së Umajadëve të verbrit këndonin vargje nga Kurani. Minarja e kësaj xhamie me shekuj ishte simbol i traditës, krenarisë dhe bukurisë arkitektonike. Më 2013 ajo u rrëzua – ndërsa regjimi i Asadit dhe kryengritësit akuzonin njëri-tjetrin për këtë barbari.

Në çastin e territ të madh, i cili ka mbuluar Halepin, Papa Françesku shkroi një letër. Një lutje dërguar diktatorit në Damask. Një lutje që së paku të tregohej i mëshirshëm ndaj grave e fëmijëve, të plagosurve dhe robërve të luftës. Përgjigjja erdhi shpejt: të martën u bë e ditur se armata e Asadit ka vrarë 80 civilë në Halep. Me rënien e Halepit lufta nuk merr fund. Bashar al-Asadi dhe Vladimir Putini mund të festojnë fitoren e tyre. Por momenti i triumfit nuk do të zgjasë shumë. Sepse Rusia, siç e ka treguar edhe Afganistani në vitet ‘70, nuk mund të jetë fuqi që vendos rend në Lindjen e Afërt. Siç nuk ka arritur ta bëjë këtë as në Ballkan.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu