Gjykata Administrative do të vendosë për mundësinë e rivotimit

Njohësit e çështjeve juridike thonë se nga Gjykata Administrative varet se a do të ketë rivotim në ato qendra votuese, për të cilat opozita maqedonase Lidhja Social-Demokrate dhe Lëvizja Besa, parashtruan ankesa në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve për parregullsi gjatë procesit të votimeve të 11 dhjetorit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Pas vendimit në mbledhjen e mbrëmshme të KSHZ-së, e cila hodhi poshtë të gjitha ankesat e LSDM-së për parregullsi zgjedhore, kjo e fundit, përmes një kumtese me shkrim ka theksuar se Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), ka dëshmuar se nuk është në nivel të detyrës serioze, që e ka në lidhje me mbrojtjen e të gjitha aspekteve nga procesi zgjedhor.

Nga LSDM-ja informojnë se brenda ditës do të parashtrojnë ankesa për parregullsi zgjedhore në Gjykatën Administrative pasi të kenë definuar me ekspertët juridik të gjitha shkeljet që i ka bërë KSHZ-ja gjatë shqyrtimit të ankesave të parashtruara nga kjo parti.

Përderisa nga Lëvizja Besa thonë se nuk do të parashtrojnë ankesa në Gjykatën Administrative, sepse siç shprehen, nuk besojnë në gjykatat e Maqedonisë.

Ndërkaq, njohësit e çështjeve politike për Radio Evropa e Lirë thonë se Gruevski të shtunën tregoi qartë se nuk e ka ndërmend të heqë dorë që mandatar i qeverisë së ardhshme të jetë ai.

Pero Dimshoski, profesor universitar, duke komentuar gjuhën e ashpër të shprehur nga Gruevski ndaj diplomatëve të huaj, përkatësisht se nuk do të lejojë kurrfarë ndërmjetësimi për formimin e qeverisë së re, thotë se kjo deklaratë vjen pasi Gruevski ka marrë sinjale, siç thotë, “pas kuintave” nga partitë shqiptare për mbështetjen e qeverisë së tij nëse i jepet mandati për ta formuar.

Por, Sefer Tahiri, ligjërues i Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, thotë se gjuha e ashpër e Nikolla Gruevskit para KSHZ-së, është shprehje revolte ndaj rezultatit të përgjithshëm zgjedhor, aq më shumë kur shqiptarët tani nuk e parapëlqejnë partinë e tij për të bërë koalicion për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë.

Njohësit e çështjeve politike janë të prerë se pa ndërmjetësimin edhe më të drejtpërdrejtë të faktorit ndërkombëtar, kriza në Maqedoni nuk mund të kapërcehet pasi dallimet veçanërisht mes kampit politik maqedonas, janë shumë të mëdha sa i përket çështjeve me interes krucial për shtetin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu