Erion Veliaj ka një plan për zhurmat: Jo më servise e lavazhe makinash poshtë pallateve

Në blloqet e banimit në Kryeqytet nuk do të jepen më leje zhvillimi aktivitetesh që gjenerojnë zhurmë, përfshirë edhe lavazhet apo serviset e makinave, këto biznese do të zhvendosen larg zonave të banuara.

Lajmi u dha nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë një dëgjese të zhvilluar me Ministren e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, dhe përfaqësues të institucioneve të përfshira në hartimin e planit lokal të veprimit mbi zhurmat për Bashkinë e Tiranës, si një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e jetës në kryeqytet.

Kreu i Bashkisë tha se Bashkia e Tiranës do të jetë bashkia e parë që do të disiplinojë dhënien e lejeve të tipit C për subjekte të tilla, duke theksuar se me shumë gjasa do të ndiqet dhe nga bashkitë e tjera.

“Do jemi bashkia e parë që do plotësojë vakumin që kemi me lejet e tipit C – pra, do të emetojmë një leje bashkiake për ushtrim aktiviteti, për ku dhe në çfarë zone, gjë që me shumë gjasë do bëhet etalon edhe për bashkitë e tjera. Nuk do të lejojmë dhe nuk do të japim më leje për lavazhe poshtë pallatit; nuk do të lejojmë më servise e gomisteri poshtë pallatit; nuk mund të ketë disko poshtë pallatit. Duhet të kuptojmë se po drejtojmë një qytet ku, siç është rritur vlera e pronës nga pastrimi fizik, ashtu do vazhdojë t’i rritet vlera pronës edhe nga pastrimi akustik”, është shprehur Veliaj.

Ai shtoi se në funksion të këtij plani, do t’i jepen kompetenca të plota të gjithë punonjësve nën uniformën e Policisë së Shtetit apo bashkiake.

“Do t’ia japim këtë kompetencë Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake. Cilido qytetar që ndihet i bezdisur nga zhurma e tejskajshme, e gjen shpëtimin te çdo uniformë,” u shpreh ai, ndërsa shtoi se edhe për denoncimin e zhurmave do të jetë në dispozicion të qytetarëve një numër unik.

Gjithashtu, Veliaj tha se do krijohet edhe një mekanizëm këshillimor i shoqërisë civile në bashki, për përcaktimin në hartë të zonave të qeta, sidomos ato rreth shkollave, Universiteteve dhe parqeve, si dhe krijimin e mureve të gjelbëruara të cilat krijojnë edhe mure akustikë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu