Ish-kryeministri Sali Berisha, ka folur nga Devolli ku është shprehur se “Foltorja” ka arritur rekorde shikueshmërie nga shqiptarët brenda vendit, në Europë dhe më gjerë në Botë.
Për ta ilustruar këtë, Berisha solli në vëmendje daljen Live disa ditë më parë të Lulzim Bashës, Edi Ramës dhe Yuri Kim, teksa paralelisht zhvillohej edhe “Foltorja”.
Takimi me demokratët tha Berisha, kishte 5 herë më shumë shikues se të tre ata të marrë së bashku.
“Kjo Foltore e juaja sot ka patur shikimin në Shqipëri dhe Europë e Botë nga shqiptarët, nga shumë se të gjitha mbledhjet e Parlamentit të marra së bashku 1 muaj rresht. Nuk i sheh kush më. Le pastaj një ditë që u bëmë të tre bashkë, Rama, Basha, për koincidencë doli edhe zonja Kim në të njëjtën orë, dhe “Foltorja” i tejkaloi 5 herë të gjithë ata. Pse? Se “Foltorja” është magneti i të vërtetë. Këtu flasin njerëz të lirë, flasin me preokupim maksimal si ta ndryshojmë Shqipërinë. Jemi një shoqëri në pesimizëm, por një shoqëri që po ushqehet me besim nga Foltorja. Të gjitha këto janë nderimi më i madh për ju dhe demokratët që e krijuan këtë institucion“, është shprehur Berisha.