Parkimi ilegal në New York, do t’i kushtojë shtrenjtë një shoferi të BMW-së. BMW Serie 5 ishte parkuar ilegalisht para hidrantit në Bronx të New York City, duke ua pamundësuar zjarrfikësve të intervenojnë për ta fikur zjarrin në anën tjetër të rrugës.
Megjithatë, ata gjetën shpejtë zgjidhjen, ia thyen dritaret e veturës duke futur zorrën e ujit dhe lidhur në hidrant, e më pas kryen punën e tyre.
Vetura qëndroi në të njëjtin vend për katër ditë. Por kjo nuk është hera e parë që zjarrfikësit detyrohen të ndërmarrin veprime të tilla për shkak të parkimeve ilegale.
E pronari i BMW-së raportohet se ishte ankuar para gazetarëve për thyerjen e dritareve të veturës.
“Më kanë shkatërruar veturën, do të më kushtojë shtrenjtë. Jam i stresuar, nuk kanë pasur nevojë ta bëjnë këtë”, tha pronari i BMË-së.
Mediat amerikane raportojnë se ai duhet të paguaj një dënim prej 180 dollarëve për parkim ilegal, si dhe duhet të mbulojë shpenzimet për riparimin e veturës së dëmtuar.