Kuvendi i Kosovës ka mbushur 20 vjet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se Kuvendi i Kosovës ushtron kompetencat e tij duke pasur parasysh gjithnjë parimin e ndarjes së pushteteve të sanksionuar me Kushtetutën si dhe parimin e përfaqësimit të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Kështu tha ai në 20 vjetorin e krijimit të Kuvendit.

“Tetë palë zgjedhje parlamentare dhe tetë legjislatura janë realizuar gjatë këtij 20-vjeçari, në kushtet e lirisë e të demokracisë. Zanafilla e Kuvendit të Kosovës daton dekada më parë, duke evoluar gjatë etapave të ndryshme të historisë së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në “Facebook”, duke kujtuar historinë 20 vjeçare të Kuvendit që nga themelimi i tij në vitin 2001.

Ai tha se si institucion i një vendi të pavarur dhe sovran, Kuvendi kultivon marrëdhënie ndërparlamentare me një varg vendesh mike, duke nënshkruar memorandume bashkëpunimi, formuar grupe parlamentare të miqësisë dhe duke zhvilluar diplomaci parlamentare.

“Kuvendi i zbaton rekomandimet e raportit për vendin të Komisionit Evropian, ka një rol aktiv për zbatimin e MSA-së, duke mbajtur dy herë në vit takime të rregullta në kuadër të Komisionit për MSA-në, si dhe kujdeset që legjislacioni i miratuar të jetë sa më kompatibil me standardet evropiane dhe ndërkombëtare”, tha tutje Konjufca.

Përballë kërkesave të qytetarëve, por me kufizime të përgjegjësive, të përcaktuara nga kuadri ligjor i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe i Kornizës Kushtetuese të Kosovës, më 10 dhjetor 2001 u themelua Kuvendi i Kosovës si institucioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i vendit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu