Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj i ka reaguar ministrit të Brendshëm serb, Aleksander Vulin për deklaratat që i bëri për Masakrën e Reçakut.Haradinaj ka thënë se gjatë mandatit të tij ka shkarkuar ata që kanë përdorur gjuhë të urrejtjes.
“Fatkeqësisht, investimin shumëvjeçar në Kosovë, kohë pas kohe janë munduar ta cenojnë personazhe të shumtë me gjuhë të urrejtjes, siç është rasti i fundit i ministrit serb Vulin. Në Kosovë, ne ju kemi dhënë përgjigjen e duhur zërave të tillë. Gjatë mandatit tim si kryeministër i vendit, në vitin 2019, kam shkarkuar ministrin e Administratës dhe Pushtetit Lokal Ivan Teodosijeviq dhe zv.ministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të gjuhës së tyre që ishte në kundërshtim me frymën kushtetuese dhe përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e demokraci”, ka shkruar ai.
Haradinaj u ka bërë thirrje serbë në Kosovë që të distancohen nga gjuha e përdorur e Vulinit.
“Orientimi ynë, vazhdon të mbetet bashkëjetesa mes shqiptarëve dhe të gjitha grupeve etnike pakicë, që Kosova të jetë shtet i të gjithë qytetarëve të saj e që respekton të drejtat e secilit. Në fund, iu bëj thirrje serbëve të Kosovës, që të distancohen nga gjuha e urrejtjes ndëretnike dhe nga secili person që mundohet t’i rikthejë në të kaluarën”, ka thënë ai në reagim.