Presidentja Osmani i bëri këto komente nëpërmjet një reagimi ndaj ministrit të Brendshëm serb, Aleksandar Vulin, i cili e cilësoi gënjeshtër masakrën e Reçakut, të vitit 1999, kur forcat serbe vranë mbi 45 civilë shqiptarë.
“Ish-zëdhënësi i gruas së kriminelit (Slobodan) Millosheviq, me propagandë po përpiqet t`i ndryshojë faktet historike. E pamundshme dhe e paarritshme. Në Reçak ka ndodhur krim kundër njerëzimit. Ky fakt është i njohur dhe i dokumentuar botërisht. Tendencat e Vullinit shpërfaqin ambicien e Serbisë për ndryshimin e historisë, kjo përpjekje e kamotshme e këtij shteti në relacion me Kosovën”, thuhet në reagimin e presidentes Osmani, në të cilin theksohet se “përpjekjet e tilla janë vazhdimësi e mendësisë së regjimit të Millosheviqit, nga e cila nuk po arrin të shkëputet Vullini si një besnik i tij. Mohimi i fakteve të luftës nëpërmjet rehabilitimit të kriminelëve të luftës është krim i përsëritur”.
Në mëngjesin e 15 janarit të vitit 1999, forcat serbe ndërmorën një sulm kundër fshatit Reçak, në komunën e Shtimjes, në jug të Prishtinës. Ata hynë shtëpi më shtëpi, ndanë meshkujt më vete dhe ekzekutuan rreth 45 prej tyre. Të nesërmen, ish drejtuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, shkoi në vendin ku ishin hedhur kufomat dhe e quajti aktin një masakër dhe krim kundër njerëzimit, të kryer nga forcat serbe.
Masakra shënoi fillimin e një fushate të re diplomatike në përpjekje për t’i dhënë fund luftës dhe një muaj më vonë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë u takuan në Rambouillet të Francës, në bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare.
Në mars të atij viti marrëveshja e hartuar nga diplomatët ndërkombëtarë nuk u nënshkrua nga Beogradi dhe NATO-ja filloi fushatën 78ditëshe të bombardimeve që detyroi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova dhe vendosjen e NATO-s dhe administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Autoritetet serbe përfshirë edhe presidenti aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili gjatë luftës në Kosovë, kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, shpesh e kanë theksuar se masakra e Reçakut është fabrikuar për të arsyetuar fushatën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999.
“Por, e vërteta për Reçakun është me e fuqishme se çfarëdo propagande e Vullinit dhe bashkëmendimtarëve të tij. Ata mund të bëjnë filma, por në Reçak e anekënd Kosovës ka ndodhur një realitet që ka shpërfaqur qëllimin e shtetit serb për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Pikërisht shkaku i Reçakut dhe masakrave të tjera, NATO ndërhyri ushtarakisht ndaj Serbisë dhe caqeve ushtarake të saj në Kosovë për ta ndalur mizorinë e një regjimi gjenocidal”, shkroi të shtunën në reagimin e saj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ambasada amerikane në Prishtinë, tha se “mizoritë që ndodhën në Reçak në janar të vitit 1999, përfshirë masakrën e civilëve, janë të dokumentuara mirë. Mohimi i këtyre fakteve themelore dhe madhërimi i krimeve të luftës sjell dhimbje për të mbijetuarit, nuk nderon viktimat dhe përjetëson ndarjet që vazhdojnë të pengojnë pajtimin e qëndrueshëm, paqen dhe përparimin për Ballkanin Perëndimor”.
Kosova doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e mijëra të zhdukur, ndërsa edhe 20 vjet më pas, nuk dihet asgjë për fatin e mbi 1 mijë e 600 personave.