Presidenti Ilir Meta ka reaguar këtë të dielë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Meta në reagimin e tij shpreh shqetësimin për përshkallëzimin e përpjekjeve të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës për t’u tërhequr nga institucionet shtetërore dhe për të krijuar institucionet paralele të ushtrisë, gjykatave dhe sistemit tatimor.
Meta në reagimin e tij bën thirrje për për angazhimin në dialog të politikanëve të Republikës Serbe dhe të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në mirëbesim reciprok për sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
“Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e përpjekjeve të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës për t’u tërhequr nga institucionet shtetërore dhe për të krijuar institucionet paralele të ushtrisë, gjykatave dhe sistemit tatimor.
Iniciativa e ligjvënësve të Parlamentit të Republikës Serbe për të filluar punën për krijimin e këtyre institucioneve dhe hartimin e një Kushtetute të re, shkojnë në drejtimin e kundërt të përpjekjeve 26-vjeçare të qytetarëve boshnjakë, liderëve lokalë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të forcuar paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë.
Duke minuar në këtë mënyrë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, rrezikohet seriozisht stabiliteti rajonal dhe vështirësohet jetesa e qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve, që aspirojnë paqe e begati. Gjithashtu, ato dëmtojnë rëndë shtetin ligjor dhe perspektivën e integrimit europian të vendit dhe rajonit.
Bëj thirrje për angazhimin në dialog të politikanëve të Republikës Serbe dhe të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në mirëbesim reciprok, me qëllim avancimin e reformave të nevojshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve, avancimin e proceseve integruese të shtetit të tyre, çka do t’i shërbente edhe forcimit të paqes e sigurisë në mbarë rajonin e Ballkanit Perendimor”, thuhet në reagimin e Metës.