Katër fitore radhazi të Laçit, që e mbajnë në skuadrat e kreut. Sot kurbinasit mundën Egnatian në transfertë dhe trajneri Mirel Josa, pas ndeshjes në emisionin Gol pas Goli në Supersport tha:
“Ishte një fitore me shumë vlera. Sot do më gëzonin vetëm 3 pikët. Skuadra ishte me këmbë në tokë, tregoi se futbollistët janë shumë të përqendruar.
Edhe Egnatia donte qoftë edhe një pikë, donte të na kapte në befasi në pjesën e parë. Gabuam në 2-3 raste. Në pjesën e dytë patëm më tepër durim në qarkullimin e topit dhe mënyrën se si do dilnim përpara”
“Kapiteni? Nuk luajti Ignjatovic për probleme shëndetësore. Edhe lojtarët e tjerë kanë pretendime për të luajtur. Problemi është te mëndësia që kanë lojtarët sa i përket funksionimit si skuadër, nuk flas vetëm për mbrojtjen”.
“Laçi për titull? Më pyetët edhe kur fituam ndaj Tiranës. Duhet të jemi shumë të përqendruar sa i përket kërkesave ndaj skuadrës. Duhet thellësi më e madhe, të fusësh dorën dhe të kapësh lojtarë që zëvendësojnë të tjerët”.
“Në ndeshjet e ngjeshura kam frikë shumë nga rikuperimi i lojtarëve. Nuk shkoj shumë me të kaluarën, por më intereson që kam një skuadër që më ndjek dhe më sheh në sy. Kjo më bën të pretendoj, pse të mos pretendoj për të fituar ndeshjen pasardhëse”.
“Po të bëhet një gabim është mirë të rikuperohet shpejt. E treguam pas humbjes me Vllazninë, fituam ndeshjen tjetër. Nuk është se nënvlerësoj lojtarët që janë në stol, por mundohem të zgjedh lojtarët më të freskët fizikisht”, tha Josa në fund.