Sateliti i ri i telekomunikacionit i Turqisë u lëshua të dielën nga kompania amerikane e hapësirës ajrore SpaceX në orën 6:59 të mëngjesit me orën turke. Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Türksat 5B, i cili u nis nga Stacioni i Forcave Hapësinore Cape Canaveral në shtetin amerikan të Floridas, do të arrijë pikën e tij orbitale prej 42 gradësh në Lindje në 164 ditë.
Më pas, do të fillojë një proces testimi 45-ditor. Sateliti i prodhuar nga Airbus dhe i transferuar nga Franca në SHBA më 29 nëntor, është sateliti më i fuqishëm turk deri më tani.
Siç bëhet e ditur, ai do të jetë në gjendje të transmetojë të dhëna në më shumë se 55 gigabit, duke shtuar se Türksat 5B u prodhua me kontribute nga industria vendase e Turqisë.
Përveç Turqisë, e gjithë Lindja e Mesme, Gjiri Persik, Deti i Kuq, Mesdheu, Afrika Veriore dhe Lindore, Nigeria, Afrika e Jugut dhe vendet fqinje do të mbulohen nga Türksat 5B.
Në një video-mesazh, presidenti Recep Tayyip Erdogan e përshëndeti nisjen si një tjetër “moment krenarie për Turqinë dhe kombin turk”.
“Sot, ne lëshuam Türksat 5B, satelitin më të fuqishëm dhe me kapacitetin më të lartë të komunikimit të vendit tonë, në hapësirë. Në këtë projekt satelitor, ne zgjodhëm gjithashtu raketën Falcon 9 të Space X”, tha ai.
Erdogan falënderoi gjithashtu Elon Musk dhe kompaninë e tij Space X që nuk u përkulën para “shantazhit dhe presionit të lobeve anti-turke”.