Zyrtare: Largohet nga Shqipëria, emërohet trajner i ri i Luganos

FSHF e ka konfirmuar sot lajmin që qarkullonte prej ditësh, se Paolo Tramezzani do të shkëputej nga stafi i kombëtares dhe posti i tij si drejtor teknik për të nisur karrierën e trajnerit te Lugano në Zvicër.

“Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se ka zgjidhur sot kontratën me Paolo Tramezzanin, zv.trajnerin e Kombëtares së futbollit dhe drejtor teknik i kombëtareve të moshave”.

“Me këtë rast, Federata Shqiptare e Futbollit falënderon Tramezzanin për punën e bërë gjatë këtyre viteve me ekipin kombëtar dhe kontributin e dhënë për ngjyrat kuqezi. Njëkohësisht, Federata i uron atij suksese në të ardhmen”, shkruhej në njoftimin e FSHF-së.

Ndërkaq, në Zvicër pritet që sot Tramezzani të takohet me drejtuesit e Luganos për të hedhur firmën në kontratën e re që do e lidhë me këtë klub deri në vitin 2019.

Kurse nga FSHF pritet të emërohet ndihmësi i ri i De Biasit për pjesën e mbetur të eliminatoreve, duke llogaritur se aktualisht nga stafi i tij është larguar edhe Erjon Bogdani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu