Vuçiç: Serbia do të rezistojë sa të mundet që të mos e sanksionojë Rusinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se Serbia do të luftojë për aq kohë sa mundet që të mbajë politikën e saj për të mos i vendosur Rusisë, por ai theksoi se dëmi që po përjeton si rezultat i kësaj politike, është i madh.

Vuçiç tha më 15 maj për TV Prva se jeta do të ishte “dhjetë herë më e mirë” nëse Beogradi do të vendoste sanksione ndaj Moskës, por ai tha se nuk do ta bëjë një gjë të tillë, sepse Serbia, sipas tij, po ndjek një politikë të pavarur.

Të gjithë do të thonë se Vuçiçi po njofton për vendosjen e sanksioneve. Jo, ne do të luftojmë për aq kohë sa mundemi për të mbajtur politikën tonë”, tha Vuçiç.

Ai përsëriti se Serbia e di “se sa të padrejta janë sanksionet” dhe po vepron kështu për shkak të respektimit të të drejtave, por shtoi se “populli duhet ta di se shteti po humb shumë për shkak të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë”.

Vuçiç tha se Serbia aktualisht nuk ka qasje në kapital të tregut, kreditë janë më të shtrenjta, pasi kreditë po ofrohen me norma të interesit prej 7 për qind dhe se rifinancimi i kredive po bëhet i vështirë. Sipas tij, të gjitha këto në fund ndikojnë te pagat dhe pensionet.

Në Kombet e Bashkuara, Serbia ka votuar për rezolutat që dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës dhe ka votuar për ta përjashtuar Rusinë nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, por Beogradi nuk i është bashkuar Bashkimit Evropian për të vendosur sanksione ndaj Moskës.

Zyrtarët serbë vazhdimisht kanë përsëritur se Beogradi nuk do të mbështesë sanksionet ndaj Moskës, pasi kështu mbron interesat vitale të shtetit.

Serbia po ashtu mbështetet në Rusinë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për çështjen e Kosovës, e cila ka shpallur pavarësinë më 2008, që Beogradi refuzon ta njohë.

Serbia po ashtu varet shumë nga energjia ruse dhe kompanitë ruse kanë krijuar monopol në Serbi në tregun e naftës dhe gazit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu