Udhëheqësit e BE-së pritet të takohen të hënën në një samit të jashtëzakonshëm, por siç tha një diplomat: “Për çfarë do të flasim?” Shumica e çeshtjeve që do të disktutohen do të jenë rreth luftës në Ukrainë, por është e dyshimtë se çështja kryesore dhe e pazgjidhur e embargos së naftës ruse që ka ende nevojë për diskutim, mund të “anashkalohet.”
Këto janë përpjekjet e vështira të BE-së për të ndaluar importet e naftës ruse.
Tashmë ka kaluar gati një muaj që kur presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen njoftoi propozimet e saj.
“Ne do të ndalojmë plotësisht naftën ruse”, tha ajo në Parlamentin Europian.
Do të ishte një tranzicion “i rregullt”, duke hequr gradualisht naftën ruse brenda gjashtë muajve dhe produktet e rafinuara deri në fund të vitit 2022. Por rezistenca, veçanërisht nga Hungaria, ka mbajtur peng paketën e gjashtë të sanksioneve të BE-së.
Vende të tjera pa dalje në det, si Sllovakia dhe Republika Çeke, kanë kërkuar gjithashtu më shumë kohë për shkak të varësisë së tyre nga nafta ruse. Por qeveria hungareze e kryeministrit Viktor Orban, e cila e ka krahasuar ndalimin e naftës me hedhjen e një bombe bërthamore në ekonominë e saj, shihet si pengesa kryesore.
Ai i shkroi Këshillit Europian për të thënë se nuk donte as ta diskutonte javën e ardhshme.
‘Paratë e gjakut’
Diplomatët janë të zhgënjyer por ata gjithashtu kanë rënë dakord se, me rritjen e çmimeve të energjisë, disa vende mund të mos jenë plotësisht të pakënaqur me bllokimin e naftës ruse. Disa vende e kanë bërë të qartë se Europa duhet të ndalojë së dhëni Rusisë miliarda në atë që ata e cilësojnë si “para gjaku”.
Megjithatë, si von der Leyen ashtu edhe kreu i Këshillit Europian këtë javë sugjeruan që një marrëveshje për naftën mund të ndodhë brenda disa ditësh.
“Shmangia e debatit nuk është realiste”
Në samit pritet të diskutohet gjithashtu mbështetja financiare për Ukrainën, siguria ushqimore, mbrojtjea dhe çështje më të gjera mbi tranzicionin energjetik të BE-së. Draft-konkluzionet, të marra nga BBC, i referohen heqjes së lëndëve djegëse fosile ruse, duke shmangur embargon e naftës ruse.
“Shmangia e një debati nuk është shumë realiste,” tha një diplomat i lartë.
Shtetet anëtare nënshkruan paketat e tjera të sanksioneve, duke përfshirë një embargo me faza ndaj qymyrit rus. Por në letrën e tij këtë javë, udhëheqësi hungarez paralajmëroi Charles Michel se diskutimi i embargos së naftës “vetëm do të theksonte edhe më shumë përçarjet tona të brendshme”.
Presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola është optimiste se Hungaria në thelb po mban një “qëndrim negocues”. Megjithatë, fondet e destinuara kohët e fundit për të ndihmuar me tranzicionin energjetik të BE-së vijnë nga një buxhet parash në të cilën Hungaria nuk ka ende akses.
E gjithë kjo është pjesë e një përplasjeje financiare midis Brukselit dhe Budapestit, mbi akuzat se qeveria Orban po kryeson mbi një erozion të standardeve demokratike.
Sigurisht ka ide të ndryshme, të tilla si vendosja e kufizimeve të çmimeve ose tarifave për naftën ruse për të reduktuar të ardhurat e Kremlinit. Një tjetër propozim i kohëve të fundit ishte shkurtimi i furnizimeve nga deti fillimisht dhe më pas bllokimi i tubacioneve më vonë.
BBC