Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha të hënën se mbështetja e NATO-s për Ukrainën është “e pathyeshme” pasi ajo ka luftuar kundër forcave ruse për më shumë se tre muaj, shkruan CNN.
Ai foli gjatë një ceremonie në Madrid që shënonte 40 vjetorin që kur Spanja u bashkua me aleancën. I pranishëm ishte edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Putin duhet të dënohet për mizoritë në Ukrainë dhe vdekjen e civilëve të pafajshëm. Ai nuk do t’i arrijë qëllimet e tij sepse mbështetja e aleatëve të NATO-s për Ukrainën është e pathyeshme,” tha Sanchez.
Stoltenberg nga ana tjetër vlerësoi kontributet e Spanjës në NATO.
“Ne do të thellojmë bashkëpunimin tonë me vendet dhe organizatat me të njëjtin mendim, duke përfshirë Bashkimin Europian dhe vendet në Indo-Paqësor. Do të na bashkohen gjithashtu Finlanda dhe Suedia që aplikuan për t’u bërë pjesë e aleancës.”
Sanchez tha se “uniteti i NATO-s është më i miri për të shmangur përshkallëzimin e luftës në Ukrainë.
“Putini po përpiqet të bllokojë aspiratat legjitime të Ukrainës për të avancuar drejt demokracisë. Ai e ka bërë këtë për vetëm një arsye, kërcënimi që paraqet demokracia për regjimin e tij është ajo nga e cila ai ka frikë,” tha Sanchez.
Sanchez dhe Stoltenberg u takuan gjatë fundjavës në jug të Madridit për të diskutuar planet për samitin e NATO-s muajin e ardhshëm, tha zyra e shtypit e kryeministrit. Në ceremoninë e përvjetorit të Spanjës të hënën, në teatrin mbretëror historik të Madridit, ishte i pranishëm edhe mbreti i Spanjës Felipe.
Të pranishëm ishin gjithashtu tre ish-kryeministra spanjollë dhe katër ish-sekretarë të përgjithshëm të NATO-s, të cilët kanë shërbyer që kur Spanja u bashkua me aleancën më 30 maj 1982.