Analistët serbë për marrëveshjen e gazit rus: Çmimi ‘vëllazëror’ gjithmonë sjell diçka tjetër

Presidentët e Serbisë dhe Rusisë u pajtuan se kjo e fundit do të vazhdojë me furnizimin e pandërprerë të gazit natyror për Beogradin, u tha një deklaratë të lëshuar nga Kremlini.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se kontrata do të jetë tre vjeçare dhe se do të importohen gjithsej rreth 3 miliardë metra kub gaz me “çmim të përballueshëm”. Deri më tani, sipas analistëve, nuk dihet saktësisht se sa do t’i kushtojë politikisht Serbisë kjo marrëveshje, në kontekstin e luftës në Ukrainë.

Për sa i përket çmimit të ardhshëm të gazit rus, Vuçiq tha se nga shuma totale prej 2.2 miliardë metra kub, Serbia do të paguajë me çmimin ndërmjet 310 dollarë dhe 408 dollarë për 1,000 metra kub. Megjithatë, nuk dihet se sa do të paguhet për 800 milionë metër kub gaz për pjesën e mbetur dhe sipas presidentit serb, kjo ende nuk është negociuar.

Sipas profesorit universitar Goran Radosavljeviq, kjo shumë mund të rrisë ndjeshëm çmimin përfundimtar.

Është rasti i Hungarisë, kur vitin e kaluar u nënshkrua marrëveshja e re, të dy presidentët [Vladimir Putin dhe Viktor Orban] deklaruan se çmimi do të ishte një e pesta e çmimit të tregut dhe të dhënat e fundit tregojnë se Hungaria importoi sasitë e fundit të gazit prej 1,000 euro për 1,000 metra kub”, tha Radosavljeviq për Zërin e Amerikës.

Ai thekson se Serbia është një treg shumë i vogël për Rusinë në krahasim me Evropën, e cila, sipas tij, konsumon rreth 155 miliardë metra kub gaz natyror. Por, ky vend është një treg i rëndësishëm për shkak të pozitës së saj gjeopolitike, prandaj lëshimet ekonomike bëhen për hir të politikës.

Çmimi që është arritur me Rusinë për blerjen e gazit në dekadat e fundit, mendoj se nuk ka qenë kurrë ekonomik, ka qenë gjithmonë politik dhe më pas çmimi i referencës është përcaktuar përmes formulës së naftës”, thekson ai.

Çmimi “vëllazëror” sjell gjithmonë diçka tjetër

Rusia ndërpreu furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë sepse nuk donin ta paguanin me rubla, gjë që ishte kusht për “vendet armike”, pra ato që vendosën sanksione ndaj Rusisë. Moska gjithashtu ndërpreu furnizimin me gaz për Finlandën, pasi vendi aplikoi për anëtarësim në NATO.

A mundet deklarata e Kremlinit, e cila thekson “furnizimin e pandërprerë të Serbisë me gaz”, të lexohet mes rreshtave se, Serbia nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj politik ndaj Rusisë në kontekstin e luftës në Ukrainë dhe nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës?

Në mënyrë të nënkuptuar, mund të supozohet se Serbia nuk do të vendosë sanksione. Si nga formulimi që erdhi nga Kremlini, ashtu edhe nga atmosfera e përgjithshme që pasoi bisedën dhe nga fakti që Serbia hyri në përfundimin me një marrëveshje jo-tregtare, tashmë është vëllazërore, miqësore dhe fsheh elementë jo tregtarë, politikë”, tha ish-ambasadori serb në Bjellorusi, Sreçko Gjukiq.

Serbia është i vetmi vend në rajon që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë dhe i vetmi që është kandidat për anëtarësim në BE dhe është i shurdhër ndaj thirrjeve nga Brukseli për t’iu bashkuar sanksioneve.

Unë nuk mendoj se do të marrim diçka financiarisht, duke pasur parasysh se Perëndimi nuk do të mbetet pa përgjigje për këtë. Dhe gjithçka që fitojmë financiarisht nga njëra anë, do të humbasim nga ana tjetër”, thekson Gjukiq, duke shtuar se Serbia ishte përfshirë në një “lojë të rrezikshme”.

Kontrata aktuale, dhjetëvjeçare për blerjen e gazit rus skadon më 31 maj dhe çmimi që pagoi Serbia ishte rreth 270 dollarë për 1,000 metra kub gaz.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu