Nga: Kim Mehmeti
Mediat raportojnë se koncerti për 20-vjetorin e themelimit të saj, BDI’në do e kushtojë 100 mijë euro. E në të vërtet, e shkuara dy dekadëshe e kësaj partie mund të rrëfehet shumë lehtë edhe me një lahutë dytelëshe dhe pa pas nevojë për shumë muzikë e këngëtarë.
Në fillimet e veta BDI-ja i takonte gjithë popullit dhe shqiptarët ishin gjithçka e drejtuesit e saj asgjë dhe askush. Pra populli ishte i fort, e BDI-ja e dobët, andaj edhe pala maqedonase e respektonte dhe e kishte ‘frikë’ atë .
Pastaj, drejtuesit e BDI-së u dehën nga pushteti dhe era e parasë dhe nisi procesi i dobësimit të popullit e forcimit të partisë me çka pala maqedonase e kuptoi se drejtuesit e kësaj partie janë gjithçka e populli asgjë, pra e kuptuan se më llogari kanë t’i paguajnë shtrenjtë ata një autobus injorantësh të kësaj partie, se sa popullit t’ia japin hisen që i takon.
Dhe tani kur BDI’ja kremton e populli paguan, shihet shumë më qartë se sukseset më madhor të kësaj partie janë pasurimi i atyre që u futën në politik si rakitik e të paushqyer mire, e që tani janë milioner si dhe, zbrazja e vendbanimeve shqiptare ku kanë mbetur thuajse vetëm pleqtë që presin të vdesin dha të rinjtë ‘haraçmbledhës’ të kësaj partie.
Po pra, dy dekadat e shkuara të BDI-së shënojnë dështimin më të madh të shqiptarëve të Maqedonisë sepse doli që ideali i atyre që vlerë të vetme kishin gjakun e rinisë shqiptare dhe emblemën e shenjtë të UÇK-së që e përvetësuan, na paska qenë ardhja në pushtet dhe robërimi i popullit që u besoi.
Sidoqftë, shqiptarët e Maqedonisë mbase tani më e kanë kuptuar se prej moti, pa marrë parasysh se pjesë e cilës qeverie është, BDI’në e drejton ‘vëllazëria e krimit dhe hajnisë’, e të cilën vëllazëri e kontrollojnë qarqet policore e politike maqedonase.