Spanja do t’i sigurojë Ukrainës raketa anti – ajrore dhe tanke Leopard, sipas burimeve qeveritare të cituara nga gazeta El Pais.
Në të njëjtën kohë, Madridi do të ofrojë trajnime thelbësore për ushtrinë ukrainase.
Trajnimi do të zhvillohet në Letoni, ku ushtria spanjolle ka vendosur 500 anëtarë si pjesë e pranisë së saj të zgjeruar të NATO-s.
Një fazë e dytë e trajnimit mund të zhvillohet në Spanjë, thanë të njëjtat burime.
El Pais vuri në dukje se Ministria spanjolle e Mbrojtjes po finalizon dërgimin në Kiev të raketave anti-ajrore Aspide , të cilat ushtria spanjolle i ka zëvendësuar me një sistem më të avancuar.
Deri më tani, Madridi i ka siguruar Kievit municion, pajisje mbrojtëse personale dhe armë të vogla.
Burimet i thanë gazetës spanjolle se propozimi për rritjen e ndihmës për Ukrainën ishte bërë nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tek presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kur u takuan më 21 prill , por sqaruan se procesi u vonua për shkak të kompleksitetit të tij.