Zëdhënësi i Bashkimit Demokratik për Integrim Bujar Osmani mbrëmë në emisionin Zig-Zag bëri të ditur se Lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka ftuar të gjithë kryetarët e partive politike shqiptare në një takim ditën e nesërme. (e shtunë). Bëhet e ditur se takimi do ketë për qëllim diskutimin mes partive politike shqiptare në Maqedoni për mbrojtjen e interesave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni si dhe unifikimin e faktorit politik shqiptar.
Agjencia e Lajmeve Zhurnal para disa ditësh kontaktoi edhe me përfaqësuesit e partive politike se a do ta kishin pranuar një ftesë për takim nga kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Sekretari i përgjithshëm i LR-PDSH-së, Arben Taravari për Zhurnal konsideron se idea e Aleancës për Shqiptarët ka qenë se nëse i fitojnë zgjedhjet e 11 dhjetorit, ti ftojnë gjithë partitë politike dhe së bashku të formojnë një strategji për veprimin e mëtutjeshëm politik.
Taravari tha se Ahmeti i fitoi zgjedhjet e 11 dhjetorit, dhe nëse ka një ftesë të tillë, koalicioni “Aleanca për Shqiptarët” do të merr pjesë në atë takim për ta demostruar edhe praktikisht idenë e këti koalicioni.
“Ideja yne ka qenë që nëse fitojmë nje votë më shumë se partitë tjera shqiptare në Maqedoni, do t’i ftojmë të gjithë ato parti që kanë mandate, menjëherë më 12 dhjetor të ulemi dhe së bashku të bëjmë një strategji të përbashkët të shqiptarëve për veprimin e metutjeshëm politik.”, ka deklaruar Taravari duke shtuar se populli më 11 dhjetor dha një mesazh të qartë, gjegjësisht ata kërkojnë bashkëpunim mes partive shqiptare që së bashku të formulojnë kërkesat kyçe dhe ti jetësojnë benefitet e shumëpritura.
“Pasi që sovrani shqiptar më 11 dhjetor verdiktin i’a dha z. Ahmetit, në qoftë se ai na thir në një takim të tillë ne me kënaqsi do marim pjesë dhe do te demonstrojme edhe praktikisht që jemi Ndryshe.”, ka përfunduar për Zhurnal, sekretari i LR-PDSH-së, Arben Taravari.
Ndërkaq ditë më parë Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi as nuk konfirmoi një pjesmarrje për një takim të tillë por edhe nuk refuzoi, sepse siç tha ai së pari duhet të kenë marrë ftesë dhe të shihet agjenda e takimit dhe më pas të deklarohen edhe publikisht si “Rilindje me Besë”. Ndërsa sot për Zhurnal, Zeqirija Ibrahimi tha se kanë pranuar një ftesë nga Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, por ajo ftesë nuk ka qenë në formë të shkruar por përmes linjës telefonike.
“Po, është e vërtetë se kemi pranuar ftesën e z.Ahmeti. Ai na ka ftuar përmes telefonit dhe jo në formë të shkruar. Sonte do të kemi mbledhje të kryesisë qendrore dhe do të vendosim se a do të marrim pjesë në takimin e thirrur nga kreu i BDI-së”, deklaroi shkurt, Zeqirija Ibrahimi, nënkryetar i Lëvizjes BESA.