Nga: Andi Bushati
Edi Rama e shfrytëzoi në mënyrë perfekte fabulën e një qeni që lehte rastësisht gjatë ekzekutimit të himneve të Shqipërisë dhe Kosovës, për të stigmatizuar ata që flasin për një marëdhënie gati armiqësore mes tij dhe Albin Kurtit. “Qentë le të lehin, karvani shkon përpara”-tha ai, duke iu përgjigjur lajmit të përhapur në mediat e dy vendeve, sipas të cilit shefi i qeverisë së Tiranës, po komploton për të rrëzuar nga pushteti homologun e tij në Prishtinë.
Personalisht nuk e vë dot dorën në zjarr, se scoop-i i zbuluar nga Nacionale.com, e cila pretendon se ekzistojnë edhe përgjime, është i vërtetë. Madje më duket çudi që një shtetar të lërë gjurmë kaq të dukshme në një samit ndërkombëtar si ai i Ohrit, apo që një manipulator i sofistikuar, ti bëjë gjërat kaq trashë.
Por, historia e Ramës, që do ti presë kokën Kurtit edhe nëse rezulton e pavërtetë është e shpikur mirë. Ajo u pa haptasi në takimin bilateral mes dy qeverive, ku tensioni dhe mëria dukej sheshit, pavarësisht hipokrizisë të protagonistëve për ta fshehur atë.
Fjalorin e mbingarkuar me përbetime vllazërore, projekte strategjike dhe shifra nga shkëmbimet tregtare mes dy vendeve, e zeronin aktet në terren të kryeministrit shqiptar.
Ndryshe nga ç’raportuan mediat e Prishtinës, këtë herë, provokimi nuk ishte vetëm simbolik. Karrshillëku ndaj Albin Kurtit nuk qëndronte, as në faktin se kryeministri shqiptar, shtroi një darkë për kritikët e qeverisë në Prishtinë, as se ai vizitoi familjen e kundërshtarit më të madh të Vetëvendosjes, Hashim Thaçit.
Akte të tilla simbolike ka bërë në të shkuarën edhe Kurti në Shqipëri, duke shkaktuar bezdi, por jo tronditje në marëdhëniet mes dy vendeve.
Ajo çka Rama duket se synon këtë herë, është më perfide, më e rrezikshme dhe më afatgjatë. Duke u nisur nga modeli i këtushëm, ku përdor oligarkinë për të sunduar, ai po tenton të njëjtën skemë në Kosovë, për të destabilizuar qeverinë .
Në konferencën e përbashkët për shtyp u duk qartë se dy kryeministrat kishin një mosmarrëveshje të thellë, lidhur me heqjen e taksave të ndërsjellta doganore. E meqënëse nuk kanë rënë dakord, pala Shqiptare ka propozuar që ti heqë ato në mënyrë të njëanëshme, duke i lejuar biznesit të Kosovës të kalojë me kosto zero kufirin e përbashkët.
Kështu për shembull, me vendimin unilateral të Ramës, dyshekët e Devollit dhe paisjet shtëpiake “Comodita” do të zhvishen nga detyrimet doganore kur të mbërrijnë në Tiranë.
Shembulli i mësipërm nuk është marë rastësisht. Sepse Devolli është një nga oligarkët më të anatemuar nga Vetëvendosja, si i mbështetur nga regjimi i vjetër, pasi i vinte në shërbim të kapjes së shtetit, fuqinë e vet mediatike.
Për të kuptuar se gjithçka është e paramenduar duhet parë në You Yoube, vizita e Ramës në “Devolli Company”, një ditë përpara sesa ai të shtrëngonte duart me kryeministrin Kurti. Nuk ka imazhe më të neveritshme, pamje më përçmuese se sa të shikosh një biznesmen, që vë në rresht të gjithë ata që paguan si skllevër, për të duartrokitur dhe brohoritur politikanin që inspekton fabrikat e tij.
Por këto sekuenca të ngjashme me turpin e vizitave të dikurshme të marshallit Tito në Kosovë (shiko ketu), ishin larg të qenit thjeshtë propagandistike. Po të dëgjoje fjalorin e takimit me “biznesin”, aty shquheshin thirrjet kundër qasjes se Albinit ndaj Ballkanit të Hapur dhe pro qëndrimeve të dyshes Rama- Vuçiç. Një tjetër klient i diktatorëve lindorë, Behgjet Pacolli (shiko ketu, minuta e pare), Mabetex i të cilit po ndërton koncesionin e aeroportit të Vlorës, jo vetëm që e shpalli në mes të publikut fondlëvruesin e tij, si “kryeministri më i mirë në botë”, por mori dhe mikrofonin në duar për të bërë apel pro “Open Balkan”.
Të vëna në sfondin e thirrjeve që një sërë shoqatash biznesi bënë ditët e fundit për ti’u bashkuar “Open Balkan”, këto lëvizje e kanë shumë të vështirë ta fshehin prapavijën e frymëzimit nga Tirana.
Rama e ka vënë tashmë bastin për krijimin e një aleance me kastën e kamur të Prishtinës. Ai e ka filluar procesin e joshjes.
Ai po u ofron lehtësira doganore dhe fiskale, për ti kthyer – ashtu sikurse ka bërë me oligarkët shqiptarë-, në ushtarë financiarë kundër rivalëve të tij. Ai po e krijon tashmë karvanin e luftës ndaj Albin Kurtit, prandaj shqetësohet gjithnjë e më pak për “lehjen” e kritikëve në media dhe atë të kundërshtarëve politikë.