Si synon G7 të dëmtojë Rusinë me çmimin tavan për eksportet e naftës

Bisedimet për frenimin e fitimeve të Moskës nga sektori i energjisë do të vazhdojnë të hënën, me Indinë dhe vende të tjera që do t’i bashkohen samitit të Bavarisë. Liderët e G7-ës që po takohen në një samit në Alpet bavareze kërkojnë të arrijnë një marrëveshje për të vendosur një “çmim tavan” për naftën ruse, teksa grupi punon për të reduktuar aftësinë e Moskës për të financuar luftën e saj në Ukrainë.

Bisedimet mbi këtë ide do të vazhdojnë më tej pasi kishin filluar të dielën në resortin luksoz të Schloss Elmau, ku liderët duan të angazhojnë një sërë vendesh përtej G7 për të vendosur një tavan për çmimin që do të paguhet për naftën ruse.

Ata shpresojnë se ky ҫmim tavan do të kufizojë përfitimet e makinerisë së luftës të Kremlinit që vijnë nga rritja e madhe e çmimit të naftës së papërpunuar, ndërkohë që do të zbusë gjithashtu ndikimin e çmimeve të larta të energjisë në ekonomitë e vendeve të Perëndimit.

Ideja është promovuar fuqishëm nga SHBA dhe komentet e fundit nga zyrtarët gjermanë tregojnë se edhe Berlini po i afrohet kësaj ideje.

Zyrtarët thanë se Mario Draghi, kryeministri italian, u tha liderëve të tjerë në G7 se nevojiteshin kufizime të çmimeve të energjisë sepse “ne duhet të reduktojmë sasinë e parave që shkojnë drejt Rusisë dhe të heqim qafe një nga shkaqet kryesore të inflacionit”.

Të hënën, vendosja e ҫmimit kufi do të debatohet me një grup më të gjerë, pasi liderëve të Gjermanisë, SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Italisë, Japonisë dhe Kanadasë do t’u bashkohen vendet “partnere” të ftuara në samit. Këtu përfshihet edhe India, e cila është bërë një nga blerësit më të mëdhenj të naftës ruse me një ҫmim më të ulët që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, si dhe Argjentina, Afrika e Jugut, Senegali dhe Indonezia.

Charles Michel, presidenti i Këshillit Europian, tha se BE-ja ishte e gatshme të vendoste bashkë me partnerët e saj për një çmim tavan, por theksoi nevojën për një “vizion të qartë” dhe ndërgjegjësim për efektet e mundshme negative të kësaj mase. “Ne duam të sigurohemi që qëllimi është të shënjestrojmë Rusinë dhe jo që ta bëjmë jetën tonë më të vështirë dhe më komplekse”, tha ai.

Një zyrtar i lartë gjerman tha se “diskutime intensive” ishin duke u zhvilluar lidhur me mënyrën se si do të zbatohej ky kufi i ҫmimit dhe si do të funksiononte ai duke marrë parasysh sanksionet e Perëndimit dhe të Japonisë. “Çështjet që duhet të zgjidhim nuk janë të parëndësishme, por jemi në rrugën e duhur drejt arritjes së një marrëveshjeje,” tha ai.

Në maj, BE-ja u dakordësua për një ndalim me faza të dërgesave të naftës ruse nëpërmjet anijeve, duke lejuar përkohësisht vazhdimin e dërgesave të naftës së papërpunuar përmes tubacioneve. Shtetet e Bashkuara i kanë ndaluar plotësisht importet e naftës ruse, ndërsa Mbretëria e Bashkuar planifikon të shkëputet prej tyre gradualisht deri në fund të këtij viti.

Drejtuesit e kompanive energjetike paralajmërojnë se Rusia mund të ndërpresë furnizimet e naftës në përgjigje të çdo përpjekjeje për të vendosur një kufi çmimi ose për të bërë reduktime të mëtejshme të eksporteve të gazit në Europë.

Ndërsa liderët e G7 ishin duke u takuar, Rusia goditi me raketa zonat e banuara të Kievit për herë të parë pas shumë javësh, duke dëmtuar një ndërtesë me apartamente dhe një kopsht fëmijësh. Presidenti amerikan Joe Biden e dënoi këtë si një “akt barbarizmi”.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, përsëriti të dielën nevojën për të ruajtur konsensusin, duke paralajmëruar për një “lodhje” midis “popullsisë dhe politikanëve”.

Në shenjë solidariteti me Ukrainën, presidenti i saj Volodymyr Zelenskyy është ftuar të bashkohet në samit nëpërmjet një video-konference të hënën.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu