Nja dy – tre pyetje për Gjeneral Ostrenin
Si njeri i moshuar që jeni, e kemi patjetër t’ju respektojmë. Në fund të fundit i keni kaluar të 70-tat… Mirëpo kjo nuk do të thotë se nuk i nënshtroheni debatit publik pasi që merreni me punë të popullit, edhe pse thënë të drejtën, u pa qartë se kësaj radhe sovrani, nuk ju mori aspak seriozisht. Pra edhe në Dibrën tuaj, ju humbët nga LSDM-ja e sa për atë tjetrin – ‘hirësinë’ që nuk vlen as emri t’i përmendet, as që bëhet fjalë ngase tashmë e ka humbur respektin që dikur e gëzonte në popull.
Sidoqoftë, pa e zgjatur shumë z. Gjeneral, më duhet të thirrem në disa fjali tuaja që ju i keni thënë prej se jeni larguar nga ‘Abazi’, pasi që ju kishte mashtruar në rrugëtimin tuaj drejt idealeve që e kishit nisur me të menjëherë pasi që ishit larguar nga Jugosllovenska Narodna Armija.
Më 22 tetor të vitit 2015 keni thënë se, “BDI është vasale e VMRO-DPMNE-së dhe se e ka humbur ndjenjën e zhvillimit të demokracisë”.
Në tetor të vitit të kaluar, më saktë më 10 tetor, keni thënë se, “ta bini ju partinë që njerëzit të vriten për kryetar dege, është për të ardhur keq”.
Më 4 prill të këtij viti keni thënë se, “Unë mendoj se me këtë është arritur kulmi i zhdukjes së demokracisë së brendshme në BDI”.
T’ju them të drejtën, pyetje të këtilla mund të parashtroj me bollëk, por po e ndali me kaq ndaj tani po e shfrytëzoj rastin t’ju pyes se:
– Pse lejuat të uleni në një tavolinë me “vasalin e VMRO DPMNE-së”? Besoj se e keni parasysh se një njeri që gënjen një herë, gënjen çdoherë.
– Pse negocioni për çështje madhore me dikë që siç toni ju, ka bërë që, “në parti të vriten njerëzit për postin e kryetarit të degës”?
– Pse i besoni dikujt që, përsëri siç shpreheni ju, ka ndikuar që, “të arrijë kulmi i zhdukjes së demokracisë së brendshme në BDI”.
Z. Gjeneral, duke e ritheksuar respektin ndaj jush, në fund të fundit për shkak të moshës, por duke e pasur parasysh se unë kam qenë njëri ndër ata të paktë që ju kanë mbrojtur, kur ju sulmonte BDI pas largimit nga ky subjekt (edhe pse ma merr mendja se nuk keni patur nevojë për mbrojtjen time sepse je keni shumë merita në jetë ndaj shqiptarët ju janë mirënjohës), më duhet t’ju them se kjo që keni bërë sot, i ngjanë një hipokrizie të bajatshme. Keq, vërtetë shumë keq keni vepruar! Më mirë t’ju kishim mbajtur mend si Gjenerali, i cili megjithatë diti t’i thotë JO! Komandantit të vet që i kishte tradhtuar idealet e kombit.