Përllogaritja e re e energjisë elektrike nga ky muaj, do të reduktoj deri në 70% gërmimin e kriptovalutave nga prodhuesit e tyre. Ata që kultivojnë me pajisjet elektronike të lidhura në mënyrë legale në rrjetin e furnizimit elektrik thonë se shpenzimet do të jenë marramendëse duke marrë në konsideratë bllok tarifat e reja, veçanërisht atë të katërtën që do të ketë të njëjtin çmim të megavatorit të tregut ndërkombëtar. Sot me njërin prej prodhuesve të kriptovalutave, i cili në kushte anonimiteti na shpjegoi se fitimi i tyre do të përgjysmohet dhe nuk përjashtojnë mundësinë të heqin dorë nga ky zanat dhe të shesin edhe pajisjet e tyre të shtrenjta konkretisht kartat grafike me të cilat gërryejnë kriptot.
“Unë jam relativisht i ri në këtë treg, vec dy muaj kam përvojë në tregun e gërmimit dhe tani për tani është OK, jam i kënaqur. Bëhet fjalë për një investim jetëgjatë. Së fundi, u goditëm shumë me rritjen e çmimit të rrymës, por mund tw them se kjo punw akoma është fitimprurwse. Ka më pak fitim, megjithatw do të punoj me 30% tw kapacitetit”, deklaroi M.N. Prodhues i kriptovalutave.
Gërryerja e kriptove, një fushë e cila nuk u rregullua dot me ligjet e vendit, gjatë viteve të fundit, haptazi është pranuar se shumica e prodhuesve edhe më herët e kanë vjedhur rrymën, për të pasur fitim më të madh dhe më të pastër. Pyetëm në Kompaninë shpërndarëse “EVN-Maqedoni” e cila pranon se në rrjetin e tyre ka kyçje të paligjshme, por nuk na dhanë informacione të sakta se sa nga këto lidhje shfrytëzohen për gërryerjen e kriptovalutave. Nga EVN thanë se kanë kërkuar asistencë nga MPB-ja, por akoma nuk ka marrë mbështetje konkrete nga institucionet shtetërore.
“Shpërndarësi elektrik EVN është kompetent vetëm për pjesën e rrjetit deri te orëmatësi, dhe jo edhe për instalimin e brendshëm në objektet e klientëve. Në qoftë se vërtetohet vjedhje e energjisë elektrike, ajo denoncohet në polici, dhe më tej, janë kompetente organet hetuese shtetërore”, thanë nga EVN-Maqedoni.
Kriza globale financiare e muajve të fundit, veçanërisht ajo e energjisë elektrike dhe derivateve të karburanteve, inflacioni e kështu me radhë, u reflektua edhe në tregun e kriptovalutave. Nëse një Bitcoin pati shënuar edhe vlerën e 70 mijë dollarëve amerikanë, tani në treg vlen vetëm 20 mijë dollarë. Disa shtete si Kina dhe Britania e Madhe e patën ngrirë përkohësisht mundësinë e konvertimit të parasë elektronike në monedha reale. Dyqanet që vizituam thanë se shitja ka rënie drastike edhe në vend.