Pushimet mund t’ju kushtojnë më shtrenjtë sivjet, pritet rritje e çmimeve gjatë korrikut dhe gushtit në Shqipëri

Një kafe, pije, apo drekë në një restorant po kushton gjithnjë e më shumë, duke detyruar shumë konsumatorë që të reduktojnë zakonin e përditshëm të pirjes së kafesë, apo të dalin më rrallë jashtë për dreka apo darka.

Sipas INSTAT, Indeksi vjetor i Çmimeve të Konsumit, që mat ndryshimin e çmimeve në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, arriti në 5.9% në qershor. Kjo është rritja më e lartë në 15 vjet, të paktën që nga viti 2007, kur INSTAT raporton të dhënat.

Shtrenjtimi ka nisur që në gjysmën e dytë të vitit 2021, por u përshpejtua në pjesën e parë të këtij viti, për të kulmuar në qershor.

Aktorët e tregut paralajmërojnë se rritja e çmimeve pritet të vazhdojë, e ndikuar nga shtimi i kostove dhe mungesa e fuqisë punëtore, që po detyron rritjen e pagave, ndërsa pranojnë që kjo situatë po e ndikon negativisht konsumin.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, tha për “Monitor” se rritja e çmimeve është ndikuar nga pamundësia financiare e këtyre strukturave për të përballuar çmimet e shtrenjtuara të furnizimeve me produkte ushqimore dhe pije.

“Bizneset e bareve dhe restoranteve po arrijnë të përshtaten me situatën e rritjes së kostove nga shtrenjtimi i çmimeve të lëndëve të para. Shumë prej tyre janë detyruar të shtrenjtojnë çmimet, pasi nuk arrijnë ta përballojnë rritjen e kostove. Ndërsa nuk vihet re tendenca abuzive e uljes së sasisë në pjata.

Parashikohet të ketë rritje të vazhdueshme të çmimeve, pasi i gjithë sektori i shërbimit po shkon drejt kolapsit. Ka më pak klientë në bare, kafene dhe restorante. Këtë vit, gjithashtu ka edhe më pak turistë se vjet. Situata është e ngjashme edhe në vendet e Europës, nuk është e pranishme vetëm në Shqipëri. Të gjitha këto janë efektet e krizës së rritjes së çmimeve që nisi që me pandeminë dhe vijoi edhe pas luftës Ukrainë-Rusi”, shton ndër të tjera z. Jahaj.

Nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve më herët u pohua se mosndryshimi i çmimeve do ishte i përkohshëm, pasi dhe bizneset nuk do të kenë më mundësi të mbajnë koston e rritjes të çmimeve.

Për vitin 2021, baret dhe restorantet vijuan të kenë një vit negativ. Sipas të dhënave të regjistrit të bizneseve të INSTAT, në vitin 2021 u mbyllën 854 aktivitete të shërbimeve të ushqimeve e pijeve, me rënie 5,2%. Në vend ka gjithsej 15,5 mijë bare, nga 22 mijë në vitin 2015, duke qenë aktiviteti i dytë më i preferuar në vend, pas biznesit të pakicës./Monitor


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu