Gruevski heq dorë nga mandati, qeverinë do ta bëjë Zaevi me shqiptarët

VMRO-DPMNE pritet të heqë dorë nga formimi i qeverisë, për shkak të refuzimit të partive shqiptare që të bëjnë koalicion me ta, kanë deklaruar burime diplomatike në Shkup, transmeton Gazeta Lajm.

Sipas këtyre burimeve, Gruevski është “dorëzuar” para ndërkombëtarëve dhe qeverinë e ardhshme do ta formojë LSDM-ja me partitë shqiptare, pasi Zaev ka pranuar avancimin e disa çështjeve kyçe për shqiptarët. Ato nuk kanë përmendur partitë shqiptare që do të marrin pjesë në qeveri.

Mirëpo zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Ivo Kotevski i hedh poshtë si të pavërteta këto informacione, madje duke shtuar se VMRO-DPMNE është e obliguar të bëjë “gjithçka” që ta respektojë vullnetin e qytetarëve.

“Këto informacione janë plotësisht të pavërteta. VMRO fitoi në këto zgjedhje dhe e ka legjitimitetin dhe përkrahjen e plotë të popullit për të themeluar qeverinë. VMRO-DPMNE ka obligim që të bëjë gjithçka që ta plotësojë vullnetin e shumicës së popullit”, deklaroi Kotevski për Gazetën Lajm.

Ai thekson se mandatar i VMRO-DPMNE-së për të formuar qeverinë ende është Nikola Gruevski. “Ky qëndrim nuk ka ndryshuar. Ai ishte bartës i të gjitha aktiviteteve parazgjedhore dhe fitoi besimin e qytetarëve”, thekson Kotevski.

Për momentin nuk jep detaje lidhur me kontakte eventuale të filluara me partitë për koalicionim, duke thënë se opinioni do të informohet lidhur me këtë çështje kur të vijë koha.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu