Ndoshta nuk ka ushtrim tjetër i cilin ofron përfitime të mëdha me më pak lëvizje sesa planku klasik. Përfitime maksimale me lëvizje minimale – kujt nuk i pëlqen kjo. Krejt çfarë duhet të bëni në ushtrimin plank, është të qëndroni drejt mbi bërrylat tuaj aq më gjatë sa mundeni, dhe kësisoj i forconi të gjithë muskujt, e në veçanti muskujt e barkut.
Mund t’ju duket e thjeshtë, por posa ta provoni këtë ushtrim, do ta shihni se pas 20 sekondave i tërë trupi do të fillojë t’ju dridhet.
Në ushtrimin plank është tejet i rëndësishëm pozicioni i duhur, ku pesha duhet të vendoset në këmbë dhe bërryla, dhe duart t’i keni para vetes. Shpina dhe ijët duhet të jenë në një linjë të drejtë me shpatullat dhe kyçet e këmbës.
Sa gjatë duhet të rrini në një pozitë të tillë?
30 sekonda – nivel fillestar
minutë – nivel mesatar
1 minutë e 30 sekonda – nivel i mirë
2 minuta – shumë mirë
3 minuta – shkëlqyeshëm
5 minuta – mjeshtër i plankut
8 orë e 1 min – rekordi botëror i plankut, të cilin e kishte thyer polici kinez Mao Weidong në maj të vitit 2016. Këtë rekord ai ia kishte thyer ushtarit amerikan George Hood, i cili kishte mbajtur rekordin me 7 orë e 40 minuta.