660 policë protestë para MPB-së, Nuhiu: Angazhimi i tyre do të zgjidhet shumë shpejt

Kandidatët për policë të cilët kanë përfunduar trajnimin me sukses, kërkojnë punësim dhe angazhim adekuat në MPB.

660 policë protestuan para MPB-së duke kërkuar që ky institucion t’i punësojë dhe t’u mundësojë marrëdhënie të rregullta pune.

“Kërkojmë mundësi që të dëshmohemi dhe tregohemi. Mundësi nga e cila na ndan vetëm një nënshkrim i marrëveshjeve tona për punësim si dhe mundësi për ekzistencë stabile. Kërkojmë që sa më shpejtë të zgjidhet statusi ynë dhe nuk dëshirojmë që të jemi viktima të asnjë sistemi politik”,- deklaroi koordinatori i kandidatëve, Gjorgjija Kollarovski.

Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, për TVM-2 sqaroi se ata janë pa angazhim për shkak të procedurave ligjore e jo sepse kanë marrë vlerësim negativ për punësim. Nuhiu thotë se punësimi i gjeneratës së re e policëve në Ministrinë e Financave është paraparë të bëhet në vitin 2017.

“Ne si institucion kemi marrë përgjigje nga MF dhe kjo nuk është refuzim, nuk është përgjigje negative, por ata rekomandojnë që të ripërsëritet kërkesa në vitin 2017 për faktin se planifikimin për të filluar me punë kjo gjeneratë është bërë për vitin 2017, prandaj unë jam zotuar para kandidatëve që menjëherë në fillim të vitit 2017 do të bëj kërkesën tek Ministria e Financave që të sigurojmë pëlqimet financiare që ata të fillojnë me punë”,- tha ministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.

Nuhiu, ndërkohë, thotë edhe se numri i shqiptarëve që janë punësuar viteve të fundit në MPB ka filluar të përmirësojë përqindjen e shqiptarëve në këtë dikaster. Përfaqësimi i shqiptarëve në shërbimet administrative civile për momentin është mbi 30%, në Byronë për Siguri Publike 20 dhe në Drejtorinë për Sigurim dhe Kundërzbulim 12%. (Rexhep Qamili, TVM2)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu