Përurohet pjesa e parë e Autostradës “Arbër Xhaferi”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli sot morën pjesë në inaugurimin e nyjës lidhëse të Autostradës Prishtinë-Han i Elezit, Rruga 6 “Arbër Xhaferi”. Në këtë ceremoni të pranishëm ishin edhe ministra të Qeverisë së Kosovës, kryetarë komunash, deputetë dhe ambasadorë të vendeve të ndryshme të akredituar në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Presidenca bëhet e ditur se presidenti Thaçi me këtë rast ka thënë se kjo është dhurata më e mirë që mund të bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës për shtetin por edhe për të gjithë qytetarët e vendit.

Duke e vlerësuar projektin, presidenti Thaçi ka theksuar se ky projekt evropian dëshmon se ëndrrat po bëhen realitet. “Kjo është Kosova jonë e re që po ndërtojmë, është projekti i Kosovës evropiane, Kosovës moderne. Ky është projekti që tregon se ëndrrat po i bëjmë realitet, idetë dhe projektet po i realizojmë”, deklaroi Thaçi.

Sipas kryeministrit, Isa Mustafa, inaugurimi i kësaj pjese të rëndësishme të autostradës “Arbën Xhaferi” ishte me rëndësi themelore. “Për mua është me rëndësi themelore që kemi arritur një punë shumë të madhe ta bëjmë këtë vit dhe vitin e kaluar, se po e inaugurojmë sot një pjesë të rëndësishme të kësaj autostrade”, tha Mustafa.

Ai poashtu në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka uruar që kjo autostradë shumë e rëndësishme për Kosovën të përfundojë sa më shpejtë.

Ndërkaq, kryeparlamentari Veseli, ka vlerësuar se kjo autostradë është bazamenti i transformimit të madh ekonomik që do ta ketë Republika e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik.

“Kjo është bazamenti i këtyre investimeve në infrastrukturë, bazamenti i vetë transformimit të madh ekonomik që do ta ketë Republika e Kosovës në fushën e zhvillimit ekonomik. Pa këtë bazament, as s’do të mund të paramendojmë transformimet e mëdha ekonomike të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me lëvizjen e njerëzve, por të njëjtën kohë edhe me lëvizjen e mallrave. Kjo autostradë do të bartë me miliona produkte drejt tregut të Bashkimit Evropian”, uka shprehur kryeparlamentari Veseli.

Zyra e Kryeministrit bën të ditur se në qarkullim aktualisht është hapur një e treta e Autostradës Prishtinë-Han i Elezit.

“Përgjatë segmentit janë dy nyje lidhëse në Konjuh që është edhe lidhja me rrugën kombëtare Lipjan-Shtime dhe në Babush lidhja me rrugën kombëtare Prishtinë-Hani i Elezit. Janë të ndërtuara 8 mbikalime dhe 7 nënkalime me rrugë paralele me qëllim të lëvizjes së papenguar të qytetarëve të zonave përreth autostradës. Projekti i ndërtimit të autostradës është duke vazhduar në segmentin Babush-Ferizaj deri në kyçjen në Bibaj dhe kyçjen në Doganaj dhe disa pjesë të segmentit afër Kaçanikut”, thuhet në njoftim.

Deri në fund të vitit 2017 pritet që këto dy nyje lidhëse të përfundojnë dhe të hapen për qarkullim 42 kilometra të autostradës.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu